Kosova

Vdekja e 35-vjeçares: Ministrat s’e njohin aktin moral të dorëheqjes


Arben Vitia

Një qytetare ka humbur jetën të mërkurën për shkak të trajtimit të pandërgjegjshëm mjekësor në Komunën e Malishevës, ndërsa pjesëtarët e Qeverisë së Kosovës kane treguar deri tash zero përgjegjësi morale dhe institucionale, përveç disa zotimeve të zakonshme diskursive se diçka e tillë nuk do të lejohet të ndodhë sërish.

Veprimtaria ilegale e një institucioni privat shëndetësor, në të cilin një 35-vjeçare kishte shkuar për të hequr një dhëmb e nga ku nuk kishte dalë e gjallë, mund të jetë arsye e mjaftueshme pse më e pakta që mund të bënte Ministri i Shëndetësisë në këtë rast – sipas kodit etik të pushtetit – ishte të ofronte dorëheqje morale.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti deri më tani është treguar tejet moskokëçarës për vdekjen e një qytetareje në një institucion shëndetësor. Marrja e përgjegjësisë, jo vetëm për veprimet e kryera, por edhe për mosveprimet, nuk është diçka e zakonshme në politikën kosovare. Megjithatë, për këtë rast çuditërisht nuk kanë reaguar as partitë opozitare në Kosovë e as nuk kanë kërkuar llogari.

Një ngjarje e tillë në suaza të krimit, kur një qytetare humb jetën në mënyrë tragjike pas marrjes së shërbimeve stomatologjike në një institucion privat shëndetësor e që operonte kundërligjshëm, në rrethana normale e në një shtet liberal-demokratik do duhej të nxiste reagimin e mbarë aparatit shtetëror deri në dorëheqje.

Inspektorati Shëndetësor nuk e ka inspektuar asnjëherë ordinancën stomatologjike “Doktorat” që të mërkurën ka marrë një jetë njeriu dhe as nuk ka pasur licencë tjetër përveç shërbimeve të gjinekologjisë – mjeku përgjegjës dyshohet se është ende në specializim për të marrë titullin stomatolog – çka e bënë edhe më të trishtë rastin.

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ndonëse mjek me profesion, nuk ka dhënë as minimumin e përgjegjësisë, por për t’i ofruar publikut njëfarë ngjashmërie aktiviteti, ka thënë se ky rast shënon një moment vendimtar për ndalimin e “pandëshkueshmërisë dhe papërgjegjshmërisë”.

“Kam kërkuar me gjithë fuqinë që më jep ligji që të kontrollohet çdo hap e veprim i komisionit vlerësues që i paraprinë licencimit. Dhe çdo procedurë. Ndaj përgjegjësve, do të ketë masa. Në rast të evidentimit të shkeljeve penale ato do të procedohen menjëherë në organet e drejtësisë”, ka shkruar ai.

E po të ishte Kosova shtet i qeverisur nga politikanë që dorëheqjen morale nuk e shohin akt dobësie, por virtyt njerëzor, pas këtij rasti tronditës që për më tepër ka forcuar më tej dyshimet në sistemin shëndetësor, do të ofronin dorëheqje të menjëherëshme, madje edhe nëse ajo dorëheqje nuk do t’u pranohej.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore