Lajme

UNMIK-u apelon për qetësi dhe përmbajtje në Veri


Shefja e UNMIK-ut Caroline Ziadeh.

Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe shefja e UNMIK-ut Caroline Ziadeh, ka apeluar për qetësi dhe përmbajtje në dialogun Kosovë-Serbi.

Ajo përmes një komunikate për media është shprehur e shqetësuar nga zhvillimet e vazhdueshme si dhe përshkallëzimin e mundshëm të situatës së sigurisë.

“Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, është thellësisht e shqetësuar nga zhvillimet e vazhdueshme dhe përshkallëzimin e mundshëm të situatës së sigurisë që përfundimisht do të ndikojë tek njerëzit në terren”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, ka kërkuar kthimin në bisedime për të ruajtur të arriturat e dialogut.

“Nuk ka alternativë ndaj dialogut për të kapërcyer mosmarrëveshjet dhe për të parandaluar keqkuptimet që mund të rrisin më tej tensionet”, tha ajo.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, ka pranuar që ta shkallëzojë vendimin për targat, duke mos i konfiskuar veturat me tabela ilegale, por fillimisht duke i qortuar, më pas në një afat tjetër gjobitur.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,

Shkallëzimi tjetër do të jetë vendosja për dy muaj e tabelave provuese dhe vetëm pas 21 prillit të vitit 2023. Kurti tha se do të konfiskohen targat ilegale KM.

“Për tri javë duke filluar nga 1 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Më pas, deri me 21 janar do të shpërndahen gjoba. Dhe pastaj, nga 21 janari, do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas secilës datë me 21 prill nuk mund të ketë, sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, shpjegoj Kurti në mbledhje të qeverisë.

Kryeministri e ka pranuar se ky ndryshim vendimi po vjen, si përgjigje e qeverisë “për ndjeshmërinë e shtuar edhe ndërkombëtare sa i përket paqes dhe sigurisë”.

Megjithatë për këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, ShBA-të, prapë kanë shprehur pakënaqësi.

Drejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Nenad Gjuriç, doli me konferencë për media dhe deklaroi se policia në atë pjesë të Kosovës nuk do ta zbatojë as vendimin e Qeverisë për shpërndarjen e fletave qortuese.

Ai, i mbështetur nga Lista Serbe, pohoi se këtë vendim e konsiderojnë “politik dhe drejtuar kundër komunitetit serb”.

Drejtori i suspenduar i policise per Mitrovicën e Veriut, Nenad Gjuriç.

Pas këtij deklarimi, Inspektorati Policor i Kosovës, njoftoi se Gjuriç është suspenduar për shkak të mosrealizimit të autorizimeve ligjore dhe zbatim të vendimeve zyrtare.

Vendimi e përshkallëzoi situatën dhe në një konferencë të jashtëzakonshme për media, Rakiç ka bërë të ditur që kanë vendosur të largohen nga institucionet e Kosovës.

Por, largimi nuk ka të bëjë vetëm me nivelin politik.

“Të gjithë serbët të largohen nga institucionet e Kosovës në Veri, por edhe nga komunat, nga prokuroria, nga gjykata, nga policia dhe nga të gjitha institucionet e tjera”, tha Rakiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore