Shqipëria

U arrestua nga SPAK, Karriqi pati marrë 2 mijë euro ryshfet


Drejtuesi në detyrë i Prokurorisë së Kukësit, i cili është arrestuar më 30 qershor, Edmond Karriqi, dyshohet se ka marrë 2 mijë euro ryshfet.

Sipas hetimeve, kjo ngjarje ka ndodhur disa muaj më parë, por prokurori është vijuar të mbahet nën hetim, për lidhjet e dyshuara me një ngjarje tjetër.

Prova e cilësuar, është ajo e filmimit gjatë kohës kur Karriqi merrte ryshfet. Shuma e parave është dhënë nga vëllai i një personi që ishte në hetim për drogë.

Përtej 2 mijë eurove, mendohet se prokurori ka pasur edhe përfitime të tjera.

Si u krye arrestimi?

Prokurori i Kukësit, Edmond Karriqi, është vënë nën prangat e policisë pas një operacioni policor në qytetin e Kavajës. I arrestuar ka qenë gjithashtu edhe shoferi i tij.

Sipas njoftimit zyrtar nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), Karriqi është arrestuar nën akuzën e “Korrupsionit aktiv të kryer në bashkëpunim” si edhe të “Korrupsionit pasiv”.

Nga provat e mbledhura në bashkëpunim me policinë gjyqësore të Policisë së Shtetit, janë mbledhur prova konkrete, nga të cilat është ngritur ndryshimi mbi arrestin.

Së bashku me shoferin e Karriqit, Isuf Gegan, janë arrestuar edhe shtetasit D.D., dhe E.B..

Akuzat mbi ta, janë dyshimet mbi veprën penale “Korrupsion aktiv në bashkëpunim”.

Hetimet paraprake për këtë procedim janë në hetim e sipër dhe ende pa përfunduar.

Më 26 mars 2021, Karriqi u komandua përkohësisht në krye të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës. Kjo, erdhi pas shkarkimit të prokurores Rita Gjati nga procesi i vetingut.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore