Shqipëria

“Tuneli i Kalimashit plotësisht i kalueshëm dhe i sigurt”


Në një njoftim të orëve të para të mëngjesit të 10 gushtit, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, theksoi se tuneli i Kalimashit është “plotësisht i kalueshëm dhe i sigurt”.

Më tej, në statusin e presidentit ravijëzohet falenderimi për angazhimin operacional të strukturave zjarrfikëse të Kukësit dhe të Kosovës.

“Ndërsa vazhdon puna për të mbrojtur tunelin”, shkrun ndër të tjera Meta, “sot në orët e para të mëngjesit pritet një operacion me më shumë forca për të fikur zjarret në të gjithë malin e Rrunjës, për të mbrojtur jetët njerëzore dhe banesat e Shëmrisë”.

Më herët gjatë mbrëmjes së 9 gushtit, ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, konfirmoi nisjen e trupave të Forcave të Sigurisë së Kosovës “në mbështetje të vëllezërve e motrave tona në Republikën e Shqipërisë”.

Në vijim Mehaj bëri me dije se krahas operacioneve në Kosovë, ka ofruar mbështetjen e plotë me kapacitetet e tyre në dispozicion për në Shqipëri.

“Pas rëndimit të situatës, përveç në zonat jugore tani më edhe në ato veriore, dhe kërkesës së autoriteteve shqiptare për mbështetje, kam siguruar homologun tim, Niko Peleshin, se vullneti im për zbarkim të kontingjentit të FSK-së në operacion për shuarjen e zjarreve, do të përkrahet fuqishëm nga Qeveria e Kosovës më në krye kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani”, shkruan ministri Mehaj.

Në përfundim ai thekson faktin se, “të bashkuar jemi më të fortë në kohë të vështira me vëllezërit e motrat tona”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore