Përballje

Topalli e Rroca shënojnë dhe asistojnë për njëri-tjetrin në fitoren e Istanbulspor-it në Superligën e Turqisë


Futbollistët shqiptarë, Jetmir Topalli dhe Eduard Rroca ishin protagonist në ndeshjen e fundit të Superligës së Turqisë me skuadrën e tyre, Istanbulspor.

Të dy shënuan dhe asistuan për njëri tjetrin në fitoren e ekipit të tyre me rezultat 2:0 ndaj Umraniyespor.

I pari që e gjeti rrugën e rrjetës ishte futbollisti i Kosovës, Jetmir Topalli, i cili shënoi në minutën e fundit të pjesës së parë pas një asistimi nga Eduard Rroca.

Pra, pjesa e parë përfundoi me epërsi minimale të vendasve, derisa në të dytën ishte Rroca që u përkujdes për të shënuar.

Ishte minuta e 61-të, kur futbollisti shqiptar mori një asistim nga Topalli për ta shndërruar në gol.

Për Topallin ky ishte goli i pestë në 28 ndeshje të Superligës së Turqisë, si dhe ka dhuruar edhe tre asistime, ndërsa dy gola të tjerë i ka shënuar në Kupën e Turqisë.

Ndërsa për Rrocan, ky ishte goli i tretë, si dhe ka dhuruar pesë asistime në 23 ndeshje të Superligës së Turqisë.

Gjithashtu edhe ai ka kontribuar në Kupën e Turqisë, duke shënuar dhe asistuar nga një herë në dy ndeshje të luajtura.

Sa i përket Topallit, ai është ftuar nga Kosova për ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Evropian që do të zhvillohen në muajin qershor, ndërsa Rroca ende nuk ka marrë asnjë ftesë nga Shqipëria.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore