Kosova

Gërvalla me kongresistin Keating, diskutojnë për veprimet destabilizuese të Serbisë në Ballkanin Perëndimor


Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe kongresisti William Keating.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, gjatë një takimi me kongresistin William Keating, ka folur për veprimet destabilizuese të Serbisë në Ballkanin Perëndimor.

Takimi është bërë i ditur përmes një komunikate dërguar mediave, ku thuhet se çështje e diskutimit ka qenë edhe luftimi i krimit dhe korrupsionit.

“Gjatë takimit Ministrja Gërvalla e njoftoi kongresistin amerikan Keating rreth veprimeve të Republikës së Kosovës në luftimin e krimit dhe korrupsionit, informalitetit dhe shtrirjen e sovranitetit në gjithë territorin e vendit”.

“Ministrja Gërvalla dhe kongresisti Keating folën edhe rreth propagandës ruso-serbe, dezinformimit dhe veprimeve destabilizuese të Serbisë në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në komunikatën e MPJD-së dërguar mediave.

Kërkesë e Gërvalles, ishte që bashkëpunimi mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, të ketë rritje.

“Rritja rekorde ekonomike dhe zhvillimi i qëndrueshëm në Kosovë, bashkëpunimi ekonomik dhe mbështetja e ShBA-ve në transformimin e burimeve të energjisë si dhe fuqizimi i rolit të SHBA-ve në Ballkanin Perëndimor, ishin në fokus të takimit që zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, pati me kongresistin demokrat William Keating, në kuadër të vizitës zyrtare në Uashington”.

Ndërkaq, Gërvalla të enjten gjatë një takimi me kongresistin amerikan, Keith Self, veçoi faktin që ende nuk ka asnjë pasojë për Serbinë pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, derisa në takim u prek edhe çështja e kërcënimeve të vazhdueshme të Serbisë e Rusisë.

Duke njoftuar kongresistin Self për progresin e vendit të vogël ballkanik në shumë fusha, shefja e diplomacisë kosovare falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) për mbështetjen e vazhdueshme në çlirimin, shtetndërtimin, zhvillimin dhe integrimet euroatlantike të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore