Aplikacione

TikTok-u kufizon shërbimet në Rusi kurse Netflix-i tërhiqet


Platforma TikTok dhe transmetuesi Netflix kanë kufizuar shërbimet e tyre në Rusi pas pushtimit të Ukrainës.

TikTok-u ka pezulluar transmetimin e drejtpërdrejtë dhe përmbajtjet e reja teksa vlerëson ligjet e reja të ashpra për të goditur “lajmet e rreme” në lidhje me Forcat e Armatosura të Rusisë.

Kurse Netflix-i ka thënë se po tërhiqej në shenjë proteste ndaj pushtimit.

Po ashtu Visa, Mastercard dhe PwC i janë bashkuar listës së firmave perëndimore që kanë ndërprerë lidhjet.

Me rreth 36 milionë përdorues në Rusi, TikTok-u ka sqaruar se masa e tij kishte të bënte me sigurimin e stafit dhe përdoruesve.

Kjo pasi Rusia ka planifikuar që kushdo që shkruan lajme që konsiderohen të rreme për ushtrinë mund të përballet deri në 15 vjet burg.

Gjithashtu Kremlini kundërshton që konflikti të quhet luftë, duke e quajtur këtë të fundit një “operacion ushtarak special”.

“Nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të pezullojmë transmetimin e drejtpërdrejtë dhe përmbajtjen e re në shërbimin tonë video, ndërkohë që shqyrtojmë implikimet e sigurisë të këtij ligji”, ka deklaruar platforma.

“Shërbimi ynë i mesazheve brenda aplikacionit nuk do të ndikohet”, ka shtuar TikTok-u.

Sipas tij, do të vijohet vlerësimi i rrethanave në zhvillim për të përcaktuar se kur mund të rifillojnë plotësisht shërbimet në sfondin e sigurisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore