Lajme

Thaçi: Kam informacione se Kurti do ta mbështesë Pendarovskin në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale


Menduh Thaci

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi, ka thënë se ka informacione se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni të Veriut, që do të mbahen më 8 maj, së bashku me ato parlamentare, do ta mbështesë kandidatin e LSDM-së, presidentin aktual, Stevo Pendarovski.

Këto komente, Thaçi i ka bërë në një intervistë për “EuronewsAlbania”, derisa ka thënë se do ta mbyll polemikën me Kurtin që e kishte pasur para raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale më 24 prill, pasi që kryeministri kosovar e kishte mbështetur koalicionin “VLEN”, rrjedhimisht kishte dalur hapur kundër Bujar Osmanit të “Frontit Evropian”.

“Dua ta mbyll polemikën me zotin Kurti, kemi fituar, nuk e ndjej veten, pa sarkazma, nuk e ndjej veten mirë që ai ka dështuar politikisht në angazhimin e tij”, ka thënë Thaçi, derisa ka shtuar se është plotësisht i  sigurt se edhe pozicioni i tij do të ndryshojë tash në raport me Maqedoninë.

Në këtë kontekst, kreu i PDSH-së ka theksuar se informatat e tij flasin se Kurti i ka premtuar mbështetje Pendarovskit.

“Po, sigurisht”, insistoi ai.

Përveç kësaj, Thaçi pret që Kurti t’i mbështesë partitë politike shqiptare në Maqedoni të Veriut, për kushtëzimin që ua kenë vënë VMRO-DPMNE-së se për ët formuar qeverinë e re duhet ët votohen ndryshimet kushtetuese.

“Se çdo veprim tjetër do të ishte jashtë logjikës politike dhe jashtë përcaktimit kombëtar të shqiptarëve. Kështu që nuk e shoh të arsyeshme më të polemizojë me të”, theksoi Thaci,

Në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni të Veriut janë dy kandidatë që kanë marrë vota më së shumti në raundin e parë. Gordana Siljanovska Davkova, kandidatja e partisë nacionaliste maqedonase, VMRO-DPMNE, dhe Pendarovksi i LSDM-së.

Ndryshe, kryeministri Albin Kurti ka qenë i përfshirë drejtpërdrejtë në zgjedhjet presidenciale të Maqedonisë së Veriut, por është edhe në ato parlamentare të 8 majit.

Ai ka mbështetur kandidatin e koalicionit “VLEN” për President të Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari, duke u rreshtuar kështu kundër atij të “Frontit Evropian”, Bujar Osmani, i cili doli fitues në taborin shqiptar me rreth 40 mijë vota diferencë.

Po ashtu, Kurti është në mbështetje për “VLEN” edhe në zgjedhjet parlamentare, në listat e të cilëve ka kandidatë për deputetë, siç është këshilltari i tij, Bekim Qoku.  

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore