Jetesë & Stil

Taylor Swift kishte refuzuar ftesën e Meghan Markle për të qenë mysafire në podkastin e saj


Këngëtaren e muzikës pop, Taylor Swift dhe Dukeshën e Sussex-it, Meghan Markle, vështirë se do t’i shohim ndonjëherë bashkë në një emision.

Kjo pasi që së fundmi u zbulua se ylli i hitit “Bad Blood” kishte refuzuar ftesën e Markle për të qenë pjesë e podkastit të saj “Archetypes”, shkruan WallStreetJournal, transmeton AlbanianPost.

Madje, sipas burimeve, Swift as që kishte marrë mundin t’i përgjigjej vetë ftesës, kësisoj në vend të kësaj përgjigjen ia kishte kthyer përmes një përfaqësueseje të saj, çka shihet si një injorim total karshi Markle.

Tanimë, një intervistë e tillë dihet se nuk do të realizohet, pasi që Markle dhe burri i saj, Princi Harry kanë ndërprerë kontratën me Spotify, platformë kjo që e transmetoi podkastin e tyre vetën tre vjet pasi nënshkroi një kontratë prej 20 milionë dollarësh.

Një burim i brendshëm zbuloi se pavarësisht se “Archetypes” arriti në krye të top-listave vitin e kaluar, çifti nuk kishte prodhuar përmbajtje të mjaftueshme për të justifikuar çmimin e lartë.

Në një deklaratë të përbashkët, Spotify dhe Archewell Audio thanë se ata “ranë dakord reciprokisht për t’u ndarë dhe janë krenarë për të arriturat që erdhën si rezultat i bashkëpunimit mes tyre”.

Por gjetja e mysafirëve për podkast-in e ish-yllit të “Suits” nuk ishte e vetmja çështje.

“Meghan shpesh kërkonte ndryshime në fund të procesit të redaktimit, nganjëherë duke rekrutuar drejtues të lartë të Spotify, duke përfshirë atëherë shefin e përmbajtjes Dawn Ostroff, për të thirrur prodhuesit dhe për t’i shtyrë ata të bëjnë ndryshime”, ka shkruar Journal në raportin e vet javën që lamë pas.
Ndërkohë, Harry u përpoq të dilte me një ide për një podkast të tijin.

Themeluesi i “Invictus Games”, hulumtoi temën e veteranëve “por nuk mundi të gjente një mënyrë bindëse për ta trajtuar temën në formë podkasti”.

Harry gjithashtu thuhet se propozoi idenë e intervistimit të Vladimir Putin, Donald Trump dhe Mark Zuckerberg për traumat e tyre të fëmijërisë.

Koncepti i çuditshëm i Dukës së Sussex-it i la drejtuesit të ndiheshin në mëdyshje, sipas një artikulli të botuar më parë të Bloomberg.

Një burim i brendshëm pohoi se praktika e paraqitjeve të çuditshme të Harry-t i bëri disa punonjës të Spotify si “të dyshimtë”, duke marrë parasysh që njerëz si Putin, 70 vjeç dhe Zuckerberg, 39, rrallë japin intervista për jetën e tyre personale.

Që nga ndarja nga kompania, anëtarët e familjes mbretërore me bazë në Kaliforni janë kritikuar nga kolegu i podkaster, Bill Simmons.

Prezantuesi i sportit e sulmoi çiftin, duke i quajtur ata “dembelë” në krahasim me Obamat, të cilët gjithashtu kishin një kontratë me Spotify.

Rënia e marrëveshjes grumbullon presion financiar mbi çiftin, i cili u largua nga detyrat e larta mbretërore në janar të vitit 2020.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore