Shqipëria

Task-force i përbashkët policor post-Covid mes Italisë dhe Shqipërisë


Të hënën e 31 majit u mbajt një tryezë e përbashkët mes Italisë dhe Shqipërisë, në ambientet e Akademisë së Sigurisë në Tiranë.

Pikësynimi i saj ishte pasurimi i gamës së bashkëpunimit policor mbi fenomenet kriminale që shfaqen pas pandemisë. Qëllimi i saj është parandalimi dhe luftimi i kërcënimeve të reja që në hapat e parë.

Ky bashkëpunim është mbështetur fuqimisht nga shefi i policisë italiane Lamberto Giannini, nga homologu i tij shqiptar Ardi Veliu dhe ambasadori italian në Shqipëri, Fabrizio Bucci.

Propozimi është nisur nga Prefekti Vittorio Rizzi, Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm i Sigurisë Publike dhe Drejtori Qendror i Criminalpol-it. Rizzi mbajti fjalën e tij në Konferencën e VI Shkencore të organizuar nga Akademia e Sigurisë.

Kjo është një nismë që u ngrit nga Ministria e Brendshme në prill të vitit 2020 dhe që buron nga përvoja italiane lidhur me krimin e organizuar.

Përvoja u huazua menjëherë nga Europol-i me krijimin e Grupit të Punës për kërcënimet kriminale, të bashkë-kryesuar nga Rizzi dhe nga drejtoresha ekzekutive e Europol-it, Catherine De Bolle.

Me pjesëmarrjen e Forcave të Policisë të Austrisë, Belgjikës, Francës, Gjermanisë, Hollandës, Polonisë, Spanjës, Suedisë, Zvicrës dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe Italisë dhe Interpolit, qëllim i këtij bashkëpunimi është shkëmbimit i informacionit mbi skenarët kriminalë.

Me shpresën që Grupi i Punës të mund të shtrihet në të gjithë zonën e Ballkanit, Prefekti Rizzi përcaktoi bashkëpunimin midis Italisë dhe Shqipërisë si një nga më intensivët dhe më të gjallët në skenën Evropiane.

Sipas tij, kjo ka ardhur falë një “marrëdhënieje miqësore, me afërsinë gjeografike, por mbi të gjitha me rrënjët e përbashkëta kulturore dhe praninë e komuniteteve shqiptare në Itali”.

“Kjo është arsyeja pse Italia ka qenë gjithmonë një mbështetëse e hyrjes së Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe në rreshtin e parë me një seri projektesh të favorizuara nga Komisioni Evropian”, u shpreh ai.

Ndër të tjera, prefekti kujtoi projektin IPA 2019 “Kundër krimit të organizuar serioz në Ballkanin Perëndimor”, së bashku me agjencinë gjermane “GIZ”, me detyrat e mbështetjes operacionale, bashkëpunimit strategjik dhe zhvillimit të ndërveprimit dhe pajtueshmërisë së sistemeve të informacionit dhe bankave.

Projekti ‘PAMECA V’ e udhëhequr nga Italia me partneritetin e Austrisë dhe Francës, ofroi mundësi të konsiderueshme trajnimi për policinë shqiptare.

Si dëshmi e bashkëpunimit efektiv midis dy vendeve, Rizzi përmendi disa të dhëna të aktivitetit të kryer në periudhën e fundit, megjithë urgjencën e vazhdueshme shëndetësore. Në vitin 2020, 68 të arratisur u gjurmuan në Shqipëri dhe 47 janë arrestuar tashmë në pesë muajt e parë të 2021. Gjithashtu në vitin 2020 kishte 28 ekstradime nga Shqipëria dhe deri më tani 22 të tilla në 2021.

Me këto të dhëna, Shqipëria renditet e para midis vendeve jo-BE për numrin e të arratisurve dhe ekstradimeve.

Gjithmonë duke konfirmuar veprimtarinë e vazhdueshme të bashkëpunimit, prefekti kujtoi nismën e ardhshme kushtuar trajnimit të 28 hetuesve shqiptarë të BKH-së (Byroja Kombëtare e Hetimit).

Në fund të konferencës, Ambasadori Bucci dhe Prefekti Rizzi shkuan në aeroportin e Tiranës për të takuar personelin e Guardia di Finanza-s, e përfshirë në fushatën e fluturimit, parashikuar nga një protokoll specifik operativ i nënshkruar midis Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Shqiptare dhe Ministrisë së Brendshme Italiane, e cila të shtunën e kaluar përmbylli një operacion të rëndësishëm antidroge në Shqipëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore