Lajme

Talebanët: “Nuk duam asnjë armik të brendshëm, as të jashtëm”


Zabihullah Mujahid, zëdhënësi për shtyp i forcave talebane, në konferencën e parë pas marrjes së pushtetit në Afganistan

“Kemi vuajtur për 20 vjet, por ja kemi arritur të emancipojmë shtetin tonë dhe të përzëmë të huajt”.

Zabihullah Mujahid, zëdhënësi për shtyp i forcave talebane, ka dhënë këtë mesazh të parë pas marrjes së pushtetit nga Qeveria afgane, të dielën e 15 gushtit.

“Ky, është një çast krenar për gjithë kombin tonë”, vijoi ai.

Ndër të tjera, Mujahid thekson se forcat talebane, nuk dëshirojnë që Afganistani të jetë një fushëbetejë konflikti. Ai ritheksoi se të gjithë ata, të cilët kanë luftuar kundër rebelëve, janë falur.

“Nuk duam asnjë armik të brendshëm e as të jashtëm”.

Të gjitha ambasadat dhe ndërtesat qeveritare do të ruhen sipas tyre.

Ndërsa shqetësimit të madh ndërkombëtar mbi fatin e grave dhe vajzave, Mujahid iu përgjigj me tone qetësuese.

“Gratë do të punojnë siç bëjnë sot. Në shkolla, në spitale, siç e kërkon ligji islam”.

Gjithçka del jashtë linjës së ligjit islam të Sharia-tit, do të ndëshkohet ndërkaq.

“Portat e hapura”

As batutat për ish-qeverinë e Ashraf Ghani, nuk u kursyen në këtë deklaratë.

“Plani ynë fillestar ishte të ndalnim në portat e qytetit. Mirëpo, Qeveria e shkuar, ishte e paaftë. Forcat e tyre të sigurisë nuk mund të jepnin siguri. Duhet të bënim diçka”.

Interesi i talebanëve, sipas Mujahid, është ai i mbajtjes së qytetarëve brenda kufijve. Por, në kundërt, të gjithë ata që duan të largohen, do të lejohen.

Një apel taleban shkoi edhe për mediat.

“Mos punoni kundër nesh. Jemi pro mediave brenda kontekstit tonë kulturor. Asgjë nuk duhet të dalë jashtë vlerave tona. Kjo është e gjitha. Mediat duhet të punojnë në funksion të unitetit tonë kombëtar, jo në përçarje”.

Ndaj, Qeveria gjithëpërfshirëse, është ravijëzuar si qëllimi i tyre kryesor deri më tani. Ndërsa, luftëtarë të huaj, nuk do të lejohen në Afganistan. Ata nuk do të jenë kundër asnjë shteti, por nuk do të lejojnë që territori i tyre të përdoret për luftë.

Me rëndësi të madhe për ta, janë raportet me shtetet fqinje. Më pas, vijojnë ato të rajonit dhe së fundmi marrëdhëniet ndërkombëtare.

Në këtë spektër, talebanët u zotuan se do të veprojnë në bazë të normave ndërkombëtare, ku do të mbizotërojë respekti.

Kush janë talebanët?

Talebanët, ose “studentët” në gjuhën Pashto, u shfaqën në fillim të viteve 1990 në Pakistanin verior pas tërheqjes së trupave sovjetike nga Afganistani.

Në shtator 1995 ata pushtuan krahinën e Heratit, në kufi me Iranin, dhe saktësisht një vit më vonë ata kapën kryeqytetin afgan, Kabul, duke përmbysur regjimin e presidentit, Burhanuddin Rabbani. Deri në vitin 1998, talebanët kishin nën kontroll gati 90% të Afganistanit.

Së fundmi kanë korrur një varg fitoresh në fushën e betejës – marrja e presidencës afgane kulmorja prej tyre – ndërsa forcat e huaja të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur tërheqjen nga Afganistani pas 20 vitesh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore