Lajme

Taktizimet politike që “fshihen” prapa shkarkimit të Valdete Dakës


Qeveria e Kosovës

Shkarkimi i Kryetares së Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka nga ana e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, më 14 qershor po shihet nga shoqëria civile dhe nga partitë opozitare si një hap drejt vet-rrëzimit të Qeverisë Kurti nëpërmjet këtij vendimi të presidentes.

Ky veprim (vendimi i Presidentes) vije pas një deklarimi të kryeministrit Kurti në seancën e plenare të datës 11 qershor kur po raportonte para deputetëve mbi ecurinë e dialogut me Serbinë.

Në fjalën e tij, mes tjerash, Kurti kishte thënë deputetëve opozitarë, ‘ju lutëm mos më rrëzoni edhe njëherë, se përndryshe…’, ndërsa pas pak ditësh nga ana tjetër opozitës i krijoi mundësi që të ndërmarr veprime ligjor që mund ta rrëzojnë Qeverinë (nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese).

Këto veprime të kryeministrit Kurti në ‘koordinim’ të plotë me Presidenten Osmani po shihen si “një ‘akt’ drejt vet-rrëzimit që t’i përbishtnoj dialogut me Serbinë”.

Muharrem Nitaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për Albanian Post ka deklaruar se shkarkimi i Valdete Dakës ka shpërfaqur anësinë e presidentes duke u bë instrument i Qeverisë.

“Shkarkimi i Dakes së pari tregon arrogancën e pushtetit duke sulmuar çdo institucion të pavarur. Gjithashtu, është e tmerrshme që Presidentja si institucion që duhet të përfaqësojë unitetin e popullit është e njëanshme dhe bëhet vegël e ekzekutivit”, ka thënë ai.

Tendenca për vet-rrëzim është shqetësuese sidomos kur atakohen institucionet kushtetuese.

“Makinacionet për vet-rrëzim duke cenuar funksionimin e institucioneve kushtetuese të shtetit janë shqetësuese”.

Nëse ky është skenari i Kurtit, Nitaj ka thënë se kjo qeveri është ngritur mbi premtime të rreme, andaj edhe do të bie po nga qasja e njëjtë.

“Edhe nëse ky mund të jetë skenari, kjo klasë qeverisëse që u ngrit nga premtime populiste e të parealizueshme, deri në mashtrim, do të bije po nga kjo qasje!”, është shprehur Nitaj.

Edhe analisti Fitim Salihu ka deklaruar se shkarkimi i Dakës nga kreu i KQZ-së nga ana e presidentes si një rast pa precedent, ka gjasë të shihet si një mundësi ku kryeministri Kurti nëpërmjet ‘mekanizmit’ presidencial po përpiqet të krijojë rrethana për rrëzimin e vet-vetes, pra Qeverisë.

Gjithsesi, për Salihun, është një tjetër arsye që e shpjegon më shumë e më mirë vendimin për shkarkimin e Dakës.

“E shoh si tendencë për uzurpimin e institucioneve të pavarura dhe si projekt për manipulim të zgjedhjeve në të ardhmen”.

Salihu ka thënë se Kurti pavarësisht akuzave në të kaluarën për kapjen e shtetit po del të jetë vet kapës i tij pasi që po përpiqet ta kap edhe KQZ-në, nga ku do t’i pamundësonte partive opozitare fitore.

“Sikur të kishte pasur vërtet kapje të shtetit më herët, nuk do t’i fitonte Kurti tri palë zgjedhje edhe duke qenë në opozitë. Në fakt, pikërisht me uzurpimin e KQZ-së, Kurti duket sikur po synon ta pamundësojë që në të ardhmen opozita të fitojë zgjedhje në Kosovë”, ka deklaruar Salihu.

Ndërsa nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila është edhe partia më e madhe opozitare në vend, Faton Abdullahu thotë për Albanian Post se Kurti në Bruksel nuk ka folur me Vuçiç-in e me Serbinë, “por me militantët e tij në Kosovë që ata t’ia sigurojnë betonimin e lavdisë si për një superhero që lë me gojë hapur Vuçiç-in”.

“Në të vërtetë Kurti në Bruksel ka fol që të fitojë ai dhe Qeveria e tij, jo qytetarët dhe vendi i tij. Kurti nuk do ta nxjerr Kosovën nga balta në të cilën po e mban Serbia”, ka thënë ai.

“Në politikë është shumë e rëndësishme të mos jesh i korruptuar, por po aq e rëndësishme është që mos të kesh ide korruptive. Kurti gufon me ide korruptive. Ka shumë moralizime në qeverisjen e tij, ka shumë pak pragmatizëm në përballjen me Serbinë”.

Sipas Abdullahut kjo qasje në politikë determinon dështim, andaj Kurti sipas tij me rastin e Valdete Dakës po mundohet t’i përbishtnoj dialogut.

“E keqja më e madhe është se Kurti mban mundësi të hapura, e nëse ato nuk janë ai i krijon, sikundër është rasti i shkarkimit të znj.Daka, që të mund të ik nga dialogu, duke i fajësuar gjithë të tjerët”.

Sipas Abdullahut të PDK-së, Kurti shumë shpejt duke fajësuar do të arrijë të fajësojë edhe administratën Biden ashtu siç e akuzonte më parë atë të Trump-it, por se kjo do ta fundos brenda shumësisë së antiamerikanizmit në rajon.

“Kësaj radhe do ta ketë më vështirë, sepse në një të ardhme të afërt, duhet ta fajësojë edhe Administratën Biden, gjë që do ta bëj Kurtin një antiamerikan të ri, në Ballkanin me shumë antiamerikanizëm”.

Në Qeverinë Kurti I, vendimi për shkarkimin e ish ministrit të Punëve të Brendshme të atëhershëm, Agim Veliu i cili ishte edhe nënkryetar i LDK-së, ishte parë si vegzë për vet-rrëzim të Qeverisë.

Ndërsa pyetje lidhur me këtë temë janë dërguar edhe në Qeverinë e Kosovës, Lëvizjen Vetëvendosje, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Partinë Social Demokrate dhe Lëvizjen për Bashkim, mirëpo ende nuk kemi pranuar ndonjë përgjigje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore