Shqipëria

Ligji për Akademinë e Shkencave përfundon në Kushtetuese, Zhupa dorëzon padinë


Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese padinë për ligjin e ri të Akademisë së Shkencave me pretendimin se është anti-kushtetues.

Sipas Zhupës, ky ligj, që i jep mundësinë e mandatit të dytë Skënder Gjinushit është një njollë e zezë për Akademinë.

Në mesin e 37 firmëtarëve, Zhupa tha se nga grupi i PD zyrtare ka firmosur vetëm Oriela Nebijaj ndërsa ka refuzuar të firmosë kryetarja e Komisionit të Medias, Flutura Açka.

“Ligji garanton vetëm futjen e hundës së politikës në Akademinë e shkencave dhe asgjë tjetër për Akademinë e Shkencave. Ky ligj në fakt u bë për të dhunuar akademizmin, për të dhunuar Akademinë e Shkencave”, shprehet deputetja.

Më herët ajo ka bërë me dije se ndryshimet për ligjin në Akademinë e Shkencave kanë gjetur reagim në raportin e fundit të Freedom House për Shqipërinë.

Zhupa shkruan se aty “tregohet se ligjet ndjekin një trajektore personale, duke ulur rolin e shoqërisë civile dhe për këtë ka marr shembull rastin e ndryshimeve ligjore ad personam të Akademisë së Shkencave me ndryshime të bëra për përfitime personale të drejtuesit të këtij institucioni”.

Në raport shkruhej se organizatat e shoqërisë civile, të cilat ligjërisht kërkohet të konsultohen nga qeveria kur miratohet legjislacioni i ri ose i ndryshuar, panë pak vullnet nga parlamenti për t’u angazhuar me to ose për të pranuar sugjerimet e tyre.

“Disa organizata të shoqërisë civile, për shembull, kundërshtuan ndryshimet në kuadrin ligjor të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në vitin 2023, me arsyetimin se ndryshimet do të politizonin më tej institucionin dhe do të minonin lirinë akademike. Më vonë doli në dritë se kreu aktual i Akademisë i kishte shkruar vetë ndryshimet për përfitimin e tij personal”.

Sipas Zhupës, Akademia e Shkencave, ndryshe nga ç’mund të pritej në çdo vend demokratik, të citohej për arritje dhe për vizion mbi politikat zhvilluese të vendit, është përfshirë në Raportin e Freedom House si shembull për antiparime, për antikushtetueshmëri dhe për kapjen e saj me ndërhyrje të kuvendit nga një individ.

Më tej ajo ka thënë se është gati padia që do i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për këtë ligj, me mbështetjen e deputetëve të grupit parlamentar të PD.

Sipas saj, padia do jetë kundra ndryshimeve ligjore “antikushtetuese, ku trajtojnë në mënyrë të diferencuar akademikët 70 vjeçar, ku të gjithë kthehen emeritus në këtë moshë, përveç njëri, kryetarit”.

Zhupa: Ndryshimet për ligjin në Akademinë e Shkencave, reagim edhe nga raporti i Freedom House

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore