Lajme

Vjosa Osmani shkarkon nga detyra Valdete Dakën


Presidentja Vjosa Osmani e ka shkarkuar nga detyra e Kryesueses së Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Dakën.

Vendimin për shkarkimin e Dakës, e ka bërë publik Zyra për Medie e Presidencës në të cilin thuhet se “ Znj. Valdete Daka i ndërpritet mandati si Kryesuese e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës”.

“Vendimi hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit”.

Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se “kriteri i të qenit organ i pavarur duhet të sigurohet nga të gjitha institucionet relevante dhe duhet menaxhuar nga brenda nga Kryesuesi së bashku me anëtarët e KQZ-së”.

“Kushtetuta parasheh që Kryesuesi i KQZ-së duhet të jetë një figurë e lartë gjyqësore, me një mandat burimor në Gjykatën e Apelit apo Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës”.

“Një ndërlidhje e tillë ndërmjet funksionit aksesor të Kryesuesit të KQZ-së dhe mandatit burimor të tij është e natyrës imperativë dhe të përhershme. Qëllimi i këtij parashikimi kushtetues është që kryesuesi i KQZ-së t’i nënshtrohet parasë gjithash parimit të paanshmërisë, si një garancion procedural dhe substancial që pozicioni i tij në menaxhimin e këshillit dhe vendimmarrjes së KQZ0së të mos cenojë integritetin objektiv të sistemit zgjedhor”.

“Kryesuesi i KQZ-së duhet të përputh sjelljen e tij me parimin e paanshmërisë në mënyrë që të siguroj pikë së pari ‘besimin’ e publikut në sistemin zgjedhor dhe si rezultat edhe universalitetin dhe barazinë e votës”.

“Pavarësia e KQZ-së, ruajtja e integritetit dhe e statusit, janë kritere të lidhura me njëra tjetrën, ndaj rrjedhimisht, mungesa e njërit e bën të pa  mundur përmbushjen e kriterit tjetër.

“Kryesuesja e KQZ-së me veprimet e saj, sidomos gjatë procesit të zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit të 2021, ka cenuar pavarësinë dhe integritetin e KQZ-së”.

“Kryesuesja e KQZ-së në shumë raste nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike kështu duke pamundësuar balancin e nevojshëm në këtë organ”.

“Në fakt në disa raste, sjelljet e Kryesueses janë të njëjta me ato të disa përfaqësueseve të partive politike në KQZ. Rrjedhimisht, Kryesuesja, qoftë me veprimin  apo mosveprim, ka kontribuar në përshkallëzimi të situatës përgjatë mbledhjeve të këtij organi”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Presidencës.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore