Lajme

Kurti, ish presidentes së Zvicrës: Anëtarësimi i Kosovës në KiE është hap thelbësor, promovon sundimin e ligjit


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një takimi virtual me ish presidenten e Zvicrës dhe ish ministren e Punëve të Jashtme, Micheline Calmy-Rey, ka shprehur mirënjohje ndaj mbështetjes së Zvicrës që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës (KiE).

Kurti, tregoi rëndësinë që ka ky hap për Kosovën.

“Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Zvicrës ndaj anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke theksuar se ky hap është thelbësor për promovimin e sundimit të ligjit dhe të drejtat e njeriut në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatën e dërguar nga Zyra e Kryeministrit.

Ndërkaq, palët diskutuan edhe për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Zvicrës.

“Duke theksuar vlerat e përbashkëta dhe lidhjet historike që kanë bashkuar për një kohë të gjatë të dyja vendet”.

“Kurti shprehu mirënjohjen e tij ndaj znj. Calmy-Rey për mbështetjen e palëkundur, të cilën e ka treguar që përpara pavarësisë së Kosovës, dhe theksoi ndikimin pozitiv të avokimit të saj gjatë viteve”.

Sipas Kurtit, Kosova në tri vitet e fundit ka shënuar përparime të mëdha në zhvillimin demokratik dhe ekonomik të vendit tonë.

“Çështjet kryesore të trajtuara gjatë diskutimit përfshinin po ashtu dhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në nxitjen e stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor, si dhe përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës në integrim evropian”.

Ndërkaq kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media, derisa u distancua nga përgjegjësia në rast se vendi dështon t’i sigurojë votat e nevojshme për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, deklaroi se “nuk ka faj” për “mungesën e përkrahjes” nga “shtetet demokratike” që kërkuan “sinjale të qarta” para se ata të bien dakord për pranimin e Kosovës.

“Përgjigja në pyetjen se çka do të bëhet me anëtarësimin e Kosovës nuk duhet të kërkohet në Prishtinë. Ne nuk kemi përgjegjësi e as faj sepse kemi plotësuar gjithçka”, shtoi kreu i ekzekutivit, derisa komentoi kërkesën e partnerëve të QUINT-it që draftstatuti për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe të procedohet në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Ai e ka quajtur “absurde” kërkesën e Gjermanisë dhe Francës që draftstatuti i Asociacionit të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese para anëtarësimit në Këshillin e Evropës (KiE).

“Qeveria e Kosovës nuk mund të dërgojë dokumente të cilat s’i ka pranuar dhe që nuk janë zyrtare në Gjykatën Kushtetuese. Kjo kërkesë ndaj nesh ka qenë dhe mbetet absurde dhe përkundër kësaj tri herë gjatë këtij procesi u tentua që të futej kjo kërkesë si parakusht për anëtarësim”, deklaroi ai të mërkurën.

Edhe më 6 maj kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga ambasadorët e shteteve të QUINT-it që për dialogun të flitet në Bruksel dhe jo në Strasburg.

Duke kërkuar që procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE) dhe dialogu Kosovë-Serbi të mos ngatërrohen me njëra-tjetrën.

Thirrja e Kurtit drejtuar shteteve të QUINT-it ishte që ta mbështesin anëtarësimin e Kosovës më 17 maj për në Këshill të Evropës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore