Lajme

Takohen Escobar e Lajçak – Hill: Kurrë s’kemi qenë më të bashkuar


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian kurrë nuk kanë qenë më afër dhe “të gjithë ndajmë të njëjtin vizion për të ardhmen evropiane të Serbisë”.

“Tani për tani, siç i pëlqen të thotë Gabriel Escobar-it, puna vazhdon”, ka shkruar në Twitter Hill, teksa ka shpërndarë një cicërimë të përfaqësuesit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili është takuar me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Christopher Hill

Ndryshe, SHBA-të ia kanë bërë të qartë udhëheqsisë së BE-së që nuk mund të ketë propozim konkret për zgjidhje finale të çështjes së hapur mes Kosovës e Serbisë, pa një unitet konkret në mes të vetë aktorëve kryesore brenda Bashkimit Evropian.

Albanian Post merr vesh se brenda një takimi ishte bërë kjo kërkesë e qartë e amerikanëve dhe prandaj në kornizën e re të publikuar nga Albanian Post fiksohet se propozim është i akorduar me të gjithë anëtarët e unionit – 27 prej tyre, përfshirë edhe pesë vendet mos njohëse.

“Në këtë përpjekje të Evropës, kancelari Scholz dhe Presidenti Macron kanë mbështetjen edhe të pesë vende mos-njohëse të Kosovës brenda BE-së”, thuhet në hyrjen e dokumentit.

Të dielën e 18 shtatorit, Albanian Post publikoi dokumentin katër faqesh i cili paraqiste planin në kornizën e re për marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë, i përpiluar pas angazhimit të këshilltarëve të presidentit Emmanuel Macron dhe kancelarit Olaf Scholz, të cilin e ka siguruar Albanian Post.

Aty thuhet se në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht.

Në një fazë të mëvonshme, hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë, si parakusht i të dy shteteve për anëtarësim në BE.

Me marrëveshjen e vitit të ardhshëm (nëse pranohet propozimi) Kosovën e pranojnë edhe pesë shtetet që akoma nuk e kanë njohur të Bashkimit Evropian, kurse Serbia do të përfitojë një ndihmë masive financiare, asistencë ekonomike dhe do njihet si fuqia e rajonit.

Pjese nga dokumenti i publikuar nga Albanian Post

“Korniza e re” të cilën e publikoi Albanian Post është propozimi i ri i ardhur direkt nga përfshirja e Macron e Scholz në procesin e dialogut, sepse siç thuhet në dokument “Kosova e Serbia në vete nuk do të mund ta zgjidhin kurrë problemin”.

Dokumenti shpjegon logjikën prapa kornizës së re, përmban vizionin 10 vjeçar të zgjidhjes së problemit dhe jep një “makro-perspektivë”.

Përbëhet nga hyrja dhe më pas është i ndarë në tri segmente bashkë me tre nën-titujt që përmbajnë 13 pika.

Të gjitha segmentet shpjegojnë të ashtuquajturën “kornizën e re”, e cila u është prezantuar Albin Kurtit e Aleksandër Vuçiç-it. Këtë kornizë, publikisht, e ka pranuar vetëm Presidenti serb Vuçiç pas vizitës së dy këshilltarëve në Beograd.

Propozimi në fund parasheh edhe si të vazhdohet tutje nëse Kosova dhe Serbia nuk pranojnë këtë propozim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore