Lajme

Takimi i fshehur i Gërvallës me homologun palestinez, Kusari-Lila: Në diplomaci ka takime publike dhe jo-publike


Donika Gërvalla dhe Riyad al-Malik, në Forumin Diplomatik të Antaljas

“Në diplomaci mbahen takime edhe publike edhe jo-publike”.

Kështu e ka arsyetuar takimin e ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla me homologun e saj palestinez, Riyad al-Malik, në margjinat e Forumit Diplomatik të Antaljas, Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila – takim i cili u kritikua për faktin se u mbajt i fshehur nga publiku.

“Interesi i vendit është që të ketë njohje sa më shumë dhe të jetë i pranueshëm nga të gjithë, nuk mund të jemi peng i problemeve ndërmjet Izraelit e Palestinës, misioni i ministres është ngritja sa më e lartë e çështjes së subjektivitetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Kusari-Lila, në një intervistë për Ekonomia Online.

Mimoza Kusari-Lila

Ndryshe ditë më parë, në disa media kosovare u raportua se të ketë ndodhur një takim në muajin mars të këtij viti mes kryediplomates kosovare dhe atij palestinez, ku Gërvalla u tha të ketë shprehur dëshirën dhe vullnetin e Kosovës për të ndërtuar marrëdhënie bilaterale mes dy vendeve.

I menihershëm qe reagimi i ish-ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, e cila kritikoi mostransparencën e ministres Gërvalla duke shtuar se një gjë e tillë dëmton raportet bilaterale me Izraelin.

“Dëmton interesat afatgjate të Kosovës për të siguruar njohje të reja nga shtetet e Lindjes së Mesme, dhe ndihmon pozicionin e Serbisë per të forcuar ‘koalicionin ndërkombëtar’ kundër subjektivitetit të shtetit tonë”, kishte shkruar Haradinaj-Stublla në rrjetin e saj social në Facebook.

Reagim të menjëhershëm në lidhje me takimin Gërvalla-Riyad al-Malik, pati edhe ambasadori palestinez në Beograd, Mohamed Nabhan, i cili potencoi se takimi ndërmjet dy kryediplomatëve “nuk do të thotë asgjë”.

“Fakti se ministri [palestinez] u takua në margjinat e një takimi në Turqi nuk do të thotë asgjë për ne, dhe nuk ndryshon asnjë qëndrim”, kishte thënë Nabhan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore