Lajme

Tahiri: Kosova nuk bëhet pjesë e “Ballkanit të Hapur” pa njohje të Serbisë, s’kemi nevojë për avokat


Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri e ka bërë të qartë qëndrimin e AAK-së sa i përket pjesëmarrjes në “Ballkanin e Hapur”, të cilin e ka konsideruar të gabuar edhe pse e mbështeti Bashkimi Evropian.

“Kosova nuk bëhet pjesë e ‘Open Balkan’, kur nuk e njeh Serbia. Çfarëdo tentative tjetër është gabim. Iniciativat tona duhet të jenë në këtë drejtim: qëndrueshmëria në kërkesat tona për anëtarësim në NATO, qëndrueshmëri dhe strategji të saktë në raport me integrimin evropian dhe njohjen nga 5-shja e BE-së”, ka thënë Tahiri.

Ndërsa, shtoi se, “çfarëdo iniciative tjetër është një mundësi e mirë për fotografi, por nuk ka asnjë efekt pozitiv për Kosovën. Nuk kemi nevojë për avokat, kemi nevojë për miq”.

Përveç kësaj shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së ka kritikuar edhe mazhorancën për mospërmbushje të agjendës legjislative.

Tahiri agjendën e prezantuar nga ekzekutivi e ka quajtur “listë dëshirash”.

Shefja e Grupit Parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

“Agjenda legjislative e këtij viti e prezantuar nga Qeveria, realisht ka qenë listë dëshirash, ka qenë një tendencë për me i tregu popullit çfarë agjende legjislative kemi”.

Sipas tij, ky kuvend është më i dobëti parlamentar në histori të Kuvendit.

“Në qoftë se bëjmë një vlerësim kritik, shohim se ky Kuvend është shumica më e dobët parlamentare në histori të Kuvendit në raport me zbatimin e përqindjes së ligjeve që i ka vendosur në agjendën legjislative”.

Ndryshe, edhe Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka thënë se mos përmbushja e agjendës parlamentare është “jashtëzakonisht e dëmshme për vendin”.

Në anën tjetër Shefja e Grupit Parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka bërë të ditur se këtë javë do të mbahen dy seanca në Kuvendin e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore