Lajme

Tabloidet pro-qeveritare në Serbi akuzojnë mediet e pavarura se po bëjn thirrje për trazira


“Autoritetet serbe dhe tabloidet e regjimit po vazhdojnë fushatën e ndyrë ndaj një medieje të pavarur, e cila e ka trajtuar rastin e Belivukut dhe bandës së tij kriminale në mënyrë objektive dhe kritike”.

Kështu ka shkruar një prej mediumeve më të pavarura dhe më profesionale serbe, “Danas”, të premten e 30 korrikut.

Danas shkroi se kjo fushatë e egër ndaj tyre ka arritur kulmin e manipulimit me opinionin publik, duke u akuzuar se po synojnë të shkaktojnë trazira në vend.

Tablodi serb “Alo” ka shkuar aq larg sa që i ka akuzuar ata se po bëjnë thirrje për vrasjen e presidentin të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“’Dragan Dillash po i nxjerr Veljkon dhe Maesar-in [Marko Milljkovic] nga burgu’, shkruhet në titullin e këtij tablloidi, dhe nëntitulli thotë se: ‘Media nën kontrollin e financierëve të pasur po brengosen për të drejtat njerëzore të vrasësëve dhe kasapëve‘”, përcjell Danasi për tabloidët në fjalë.

Kurse tabloidi tjetër “Informer” shkruan se “Dillash po i nxjerr nga burgu Belivikun dhe Maesar-in, nën urdhërat e financuesëve të tyre, dhe po e shprërlajnë publikun me gënjeshtra të tmerrshme për të shkaktuar trazira në vend”.

Po ashtu gazeta investigative “KRIK” e cila në muajin korrik i bëri publike transkriptat e procesverbalit gjyqësor të Veljko Belivuk, nga këto tabloidë e emërua si “Portal-Therrtorja e Mafias”, si dhe mediet e tjera u etiketuan me shumë këso epitetesh.

Por edhe vetë ministri i Policisë së Serbisë, Aleksandër Vulin, u dha goditje të gjithë zërave kritik medialë me një deklaratë që jehon zërat e këtyre tabloidëve.

“Kriminelëve dhe atyre që ua bartin mesazhet atyre dhe i paraqesin si të vërteta, është e paramendueshme dashakeqësia e tyre dhe dëshira e tyre për hakmarrje kundër atyre që luftojnë kundër mafias, pas “KRIK”-ut dhe “NewsMax Adria”, tash edhe “NIN” është përfshirë në sulmet kundër meje dhe Vuçiçit”, ka deklaruar Vulin.

Drejtori i lajmeve dhe programeve të “NewsMax Adrias”, Sllobodan Gjorgjeviç, i ka shkruar “Danas”-it se krejt çka mund të lexohet kohëve të fundit ka vetëm një qëlllim.

“Të mbulojë veprimet e këqija të qeverisë, zhvatjen e parave të taksapaguesve me punën e bërë në Telekom, marrveshjet e fshehta për shfrytëzimin e litiumit, por edhe të mbulohet fakti se klani i Bellivukut u ushqye nga njerëz përbrenda BIA-s dhe policisë”.

“Ajo që shkruajnë tabloidët nuk do të kishte ndonjë vlerë dhe domethënie nëse nuk do të ishte e njëjta gjuhë që përdor Vuçiç me bashkëpunëtorët e tij. Shtë një gjuhë fyerjesh dhe kërcënimesh që kemi dëgjuar për 30 vjet, që kur radikalët ishin në Serbi, dhe progresistët janë vetëm një nga format e radikalëve”.

“A është e rrezikshme? Epo, është, sepse, ne shohim, për shembull, në rastin e inspektorit Dejan Joviç, të cilit Vuçiç dhe tabloidët i kërkojnë falje sot, kur dikur së bashku e akuzuan atë si një polic të ndyrë, e arrestuan dhe e gjykuan për asgjë”, përfundoi Gjorgjeviç

Ndër të tjera Gjorgjeviç tha për Danas se tash vetëm “presim të na ‘disiplinojnë’ në mënyrë që ndershmëria dhe intergriteti i Vuçiçit të mos vihet në pikëpyetje”.

Mediumi serb “NewsMax Adria” ditën e hënë ka bërë të ditur se ka siguruar qasje në deklaratat e dhëna në polici të Marko Milljkoviç, kolegut kriminal të Veljko Bellivuk, ku edhe ai thuhet të ketë deklaruar në polici se ka takuar Aleksandër Vuçiçin, dhe Aleksandër Vulinin, përmes gjyshit të tij Svetozar Vujaçiç, që është këshilltar i ministrit të brendshëm të Serbisë.

“NewsMax Adria” raporton se Milljkoviç ka thënë se me ministrin serb Vulin është takuar në një klub nate të quajtur Gotik në rrugën Karagjorgjeva, dhe me Vuçiçin në një apartment në Zvezdarë, të njëjtin aparment që përmendet edhe nga Belivuk për të cilën kishin raportuar gazeta investigative KRIK.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore