Lajme

Szunyog: Shqetësuese mungesa e kuorumit dhe ecuria e ngadaltë në Kuvendin e Kosovës


Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, në tryezën me temën “Presidenca Franceze e Këshillit të Bashkimit Evropian” të organizuar nga Instituti EPIK, të mërkurën është shprehur i shqetësuar për mungesën e kuorumit në Kuvendin e Kosovës.

“Më duhet të pranoj se ne jemi duke monitoruar punën e Kuvendit dhe na shqetëson shpesh mungesa e kuorumit dhe ndonjëherë ecuria e ngadaltë e akteve kyçe legjislative në Kuvend, dhe padyshim që kjo vlen edhe për këtë ndryshim gjithëpërfshirës të legjislacionit zgjedhor por edhe për Ligjin për Financimin e Partive politike”, ka thënë Szunyog.

Sipas kryetares së Komisionit për Integrim Evropian, Rrezarta Krasniqi, Kosova është projekti më i suksesshëm i shtetndërtimit në botë.

“Në fund të procesit, nuk duhet të humbim shpresat. Nuk është kohë për pesimizëm, është koha për bashkëpunim me vendet aleate. Institucionet tona duhet të tregojnë pjekuri në procesin e dialogut me Serbinë”, tha Krasniqi.

Bashkimi Evropian.

Edhe, ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie Christine Butel, tha se Franca është aktive në agjendën ndërkombëtare që ka të bëjë me zvogëlimin e përdorimit të gazrave.

Më 22 shkurt, në seancën e të martës, në mungesë të vendimmarrjes në Kuvendin e Kosovës, ka dështuar votimi i Projektligjit për financimin e subjekteve politike.

Kryeministri Albin Kurti, tha se me synim arritjen e pajtueshmërisë ndërmjet partive politike për formën përfundimtare të këtij projektligji, Zyra e Kryeministrit ka organizuar tryezë diskutimi, por sipas tij vetëm dy grupe parlamentare i janë përgjigjur ftesës.

“Miratimi i këtij projektligji është pjesë e agjendës evropiane për reforma dhe rekomandim i Raportit të Komisionit Evropian për vendin, por edhe kërkesë e qytetarëve dhe shoqërisë civile për transparencë në financat e partive politike. Si Qeveri jemi zotuar se do ta sjellim këtë projektligj në Kuvend dhe këtë e kemi bërë. Mirëpo, është përgjegjësi e jona kolektive që këtë projektligj ta miratojmë sa më parë”, ka thënë Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore