Lajme

Dështon miratimi i Projektligjit për financimin e partive politike


Kuvendi i Kosovës.

Në mungesë të vendimmarrjes në Kuvendin e Kosovës, ka dështuar votimi i Projektligjit për financimin e subjekteve politike.

Kryeministri Albin Kurti, tha se me synim arritjen e pajtueshmërisë ndërmjet partive politike për formën përfundimtare të këtij projektligji, Zyra e Kryeministrit ka organizuar tryezë diskutimi, por sipas tij vetëm dy grupe parlamentare i janë përgjigjur ftesës.

“Miratimi i këtij projektligji është pjesë e agjendës evropiane për reforma dhe rekomandim i Raportit të Komisionit Evropian për vendin, por edhe kërkesë e qytetarëve dhe shoqërisë civile për transparencë në financat e partive politike. Si Qeveri jemi zotuar se do ta sjellim këtë projektligj në Kuvend dhe këtë e kemi bërë. Mirëpo, është përgjegjësi e jona kolektive që këtë projektligj ta miratojmë sa më parë”.

“Ky projektligj është i domosdoshëm për transparencën e financimit të partive politike e me qëllim të fuqizimit të luftës kundër korrupsionit. Për ne është e rëndësishme që projektligji të përcaktojë qartë burimet e financimit, shumat e lejueshme dhe të ofrojë transparencë maksimale”.

Kuvendi i Kosovës.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, u shpreh se grupi parlamentar i partisë së tij nuk e mbështet projektligjin në fjalë, pasi sipas tij është në kundërshtim me Kushtetutën.

“Të njëjtin projektligj që ka qenë kaq kundërshtues atëherë tash e keni sjellë pa asnjë ndryshim, ku po pretendoni se gjoja se po vendosni rregull me ketë projektligj. Kjo situatë nuk po iu bën nder, sepse ju po e paraqitni veten si të padijshëm atëherë, ndërsa sot si mashtrues”.

Sipas Lushtakut, “ky projektligj duhet të punohet në mënyrë të harmonizuar me Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë. Kështu siç është hartuar nuk arrihet ajo që synohet për transparencë, llogaridhënie të subjekteve politike dhe në kundërshtim me Kushtetutën. Si i tillë, ne si Grup Parlamentar nuk e mbështesim”.

Derisa u shqyrtua ky projektligj, deputetët e LDK-së nuk ishin në seancën plenare.

Kjo për arsye se kanë shprehur shqetësimin për mosrespektim të rregullores së Kuvendit, në momentin e tejkalimit të pikave të rendit të ditës për shkak të mungesës së paraqitjes së dy projektligjeve nga ministri i MKRS-së, Hajrullah Çeku dhe ministrja e MASHTI-t, Arbërie Nagavci.

Deputeti nga LDK, Driton Selmanaj, u shpreh se kjo mënyrë e bartjes së pikave nuk ka funksionuar asnjëherë në Kuvend.

“Respektimin e rregullores, duhet dikush të respektojë një kërkesë për mocion procedural për tu shtyrë dhe bartur për seancë tjetër, një çështje që kemi votuar për rend të ditës. Nuk mundemi kështu, s’janë ministrat hajt po këqyrim deri të kthehet dikush. Kjo s’ka funksionuar asnjëherë edhe me rregullore është e përcaktuar”, tha ai.

Mirëpo, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se do të vazhdohet në mënyrën e bartjes së pikave të rendit të ditës, pa nevojë për mocion procedural.

“Duke marrë parasysh përvojën dhe traditën e deritanishme vazhdojmë me çka kemi mundësi”, tha ai.

Kuvendi po vazhdon punimet, ku u miratua Projektligji për sistemin e menaxhimit, performancës së komunave dhe skemën e garantit të bazuar në performancë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore