Lajme

Synon të reduktojë varësinë nga gazi rus, Gjermania do të ndërtojë dy terminale të gazit natyror të lëngshëm


Gjermania do të ndërtojë dy terminale të gazit natyror të lëngshëm (LNG), tha të dielën kancelari gjerman Olaf Scholz, duke u zotuar të bëjë më shumë për të mbrojtur furnizimin me energji të Gjermanisë, ndërsa po përpiqet të reduktojë varësinë e saj nga gazi rus.

“Ne duhet të bëjmë më shumë për të mbrojtur furnizimin me energji të vendit tonë”, tha Scholz duke shtuar “dhe për të mos u varur nga furnizues të caktuar të energjisë”.

Gjermania është klienti më i madh i gazit në Rusi. Evropa mbështetet në Rusi për rreth 35% të gazit të saj natyror, Gjermania mbi 50%. Por, me kërcënimin e ndërprerjes së furnizimit pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, Gjermania së bashku me vendet e tjera evropiane ka kërkuar të rrisë importet e LNG.

Në fillim të kësaj jave, Gjermania ndaloi certifikimin e gazsjellësit Nord Stream 2, i cili mund të dërgonte 55 miliardë metra kub gaz në vit.

Dy terminalet LNG mund të merren edhe me hidrocentralet e gjelbër, sipas kancelarit gjermane.

“Ngjarjet e ditëve dhe javëve të fundit na treguan se një politikë energjetike që shikon nga e ardhmja është vendimtare për klimën dhe ekonominë tonë, por edhe për sigurinë tonë dhe kjo është arsyeja pse ne duhet t’i japim një shtysë energjive të rinovueshme. Sa më shumë të bëjmë, aq më mirë”, tha ai.

Scholz njoftoi gjithashtu se për shkak të çmimeve të larta të energjisë, të rritura nga “lufta e Putinit”, qeveria ra dakord për një paketë me qëllim “zbutjen e pagesave të energjisë për pensionistët” dhe “dhënien e ndihmës për familjet me të ardhura të ulëta”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore