Lajme

Superjahti i oligarkut rus shitet për herë të parë në ankand


Në një ankand në Gjibraltar të martën e 23 gushtit, u shit superjahti Axioma i miliarderit rus Dmitriy Pumpiansky.

Ky i fundit, u vu nën sanksionet perëndimore në lidhje me agresionin e plotë rus në Ukrainë.

Lajmi u bë i ditur nga kompania amerikane “Bloomberg”.

Axioma u bë superjahti i parë i një oligarku të sanksionuar rus që u shit në një ankand në Evropë.

Në ankand janë dorëzuar gjithsej 63 oferta, por ende nuk bëhet e ditur se sa ka paguar fituesi dhe kush është ai.

Axioma 72.5 metra doli në ankand në favor të bankës amerikane të investimeve JP Morgan, e cila pretendon se pronari miliarder i jahtit, Dmitry Pumpiansky, i detyrohet atij më shumë se 20 milionë dollarë.

Anija, e cila përmban gjashtë kabina luksoze për mysafirë, një pishinë, kinema 3D, palestër, xhakuzi dhe banjë të pajisur plotësisht, u ndalua pasi u ankorua në Gjibraltar në muajin mars.

Pumpiansky është pronar dhe kryetar i bordit të “OAO TMK”, një prodhues i tubave të çelikut për industrinë e naftës dhe gazit, i cili është një furnizues i kompanisë ruse të energjisë shtetërore Gazprom.

Ai u sanksionua nga Britania, BE dhe SHBA-të pas pushtimit rus të Ukrainës.

Britania tha se miliarderi, pasuria e të cilit vlerësohet në 1.84 miliardë paund, është një nga oligarkët “më të afërt me Putin-in”.

Ndërsa dhjetëra superjahte që dyshohet se janë në pronësi të oligarkëve rusë të sanksionuar janë ndaluar ose konfiskuar në mbarë botën, Axioma është i vetmi që u vu në shitje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore