Lajme

Sulmi terrorist në Banjë, Plenkoviç: Është i rëndësishëm të shihet reagimi i BE-së


Andrej Plenkoviç

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, në një prononcim para nisjes së Samitit të radhës së Komunitetit Politik Evropian, ka deklaruar “se është e rëndësishme të shihet reagimi i Bashkimit Evropian në lidhje me ngjarjet e 24 shtatorit në Banjë”.

Plenkoviç u tha gazetarëve se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte kërkuar të takohej me të dhe se ai do të vizitojë Zagrebin javën e ardhshme.

“Ajo që është e rëndësishme është të shohim se cili është reagimi i BE-së, presim propozimin e Komisionit Evropian dhe përfaqësuesit të lartë të Borrellit, se si të reagojmë ndaj mini-krizës në Veri dhe incidentit të rëndë në Banjë. Një situatë e tillë nuk mund të mbetet pa reagim”, tha ai.

Në anën tjetër presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një prononcim të shkurtër për media para nisjes së Samitit të radhës së Komunitetit Politik Evropian, ka deklaruar se kontinenti evropian, sidomos Kosova po kalojnë kohë të vështira.

Sipas saj Kosova më 24 shtator u përball me një akt agresioni nga Serbia.

“Jam këtu për të kërkuar ndihmën e Bashkimit Evropian për të sanksionuar Serbinë”, tha ajo.

E pyetur për ndonjë takim eventual me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në margjinat e këtij Samiti, Osmani tha se nuk ka asgjë të konfirmuar në këtë aspekt.

Megjithatë sipas saj që takimi të ndodh duhet fillimisht sanksionet ndaj Vuçiç-it të miratohen.

“Së pari sanksionet, pastaj mund të flasim për të tjera tema”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore