Lajme

Sulmet e regjimit të Vuçiç-it ndaj mediave dhe OJQ-ve pritet të jenë më të forta


Media-Ilustrim

Mbi 60 mediume profesionale dhe organizata joqeveritare (OJQ) serbe kanë nënshkruar dhe dërguar një letër ministres për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogut Social, Gordana Çomiç, duke i kërkuar asaj që të dënojë e të parandalojë sulmet nga Qeveria e Serbisë dhe mediat pro-regjimit të Aleksandar Vuçiç-it.

Fushata kundër mediave objektive dhe OJQ-ve u intensifikua pasi rrjeti social Twitter shënjoi disa media serbe si media që bashkëpunojnë me Qeverinë e Serbisë.

Në letrën e drejtuar ministres Çomiç, ndër të tjera thuhet: “Media profesionale dhe organizatat e shoqërisë civile (OSHC) janë përsëri objektivi i një fushate të ashpër, e cila, si zakonisht, u drejtua nga Presidenti i Republikës, dhe vazhdoi nga media nën kontrollin e tij”.

“Ndryshe nga mediat pro-qeveritare, të tilla si PINK, OSHC-të në Serbi paguajnë taksa dhe kontribute, raportojnë në Agjencinë e Regjistrave të Bizneseve dhe kurrë nuk janë ankuar për këtë. Meqenëse ky informacion dihet me siguri nga Presidenti i Republikës, ne jemi të detyruar të konkludojmë se ky është një qëllim i keq dhe një tjetër në një seri hapash drejt shkatërrimit të pjesës së shoqërisë që lufton për demokracinë dhe sundimin e ligjit”, thuhet gjithashtu në atë letër.

Menjëherë pas lëvizjes nga Twitter, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u doli në mbrojtje mediave pro-qeveritare duke shkruar fjalët: “Me kë do të bashkëpunojnë?”, “Me manjatë dhe hajdutë?”.

“Hetimi” pasoi menjeherë nga ana e tabloidit pro-qeveritar “Telegraf.rs”, duke pretenduar se media e pavarur, si H1, Danas, KRIK dhe CINS, si dhe disa OJQ, morën miliona nga ambasadat dhe fondet e dyshimta.

Lidhur me fushatë e ndërmarr nga regjimi dhe nga mediat pro-qeveritare kundër mediave të lira dhe OJQ-ve në Serbi, themeluesi i lëvizjes Optimizmi i Ri, Branislav Grubaçki Guta si dhe gazetari Nadim Sejdninoviç konsiderojnë se veprimet e tilla janë në rritje pasi që regjimi autoritar është në rrugën “drejt një lakuriqësie” dhe se “sulmet do të jenë më të forta veçanërisht kur SNS e ndjenë mundësinë e humbjes së pushtetit.

Nga ana tjetër ministrja Çomiç lidhur me këtë çështje ka thënë se qëndrimi i ministrisë së saj nuk është të komentojë deklaratat, por se sulmet ndaj gazetarëve që bëhen nga ulëset e Parlamentit serb janë përgjegjësi e Kryetarit të Parlamentit.

Reagim lidhur me sulmet ndaj mediave profesionale ka pasur edhe Ambasadori amerikan në Beograd, Anthony Godfrey.

Ai ka thënë se ishte i pikëlluar nga etiketimi i gazetarëve si agjentë të huaj ose media nën kontrollin e Departamentit të Shtetit.

“Kjo është e rrezikshme. Kjo është një strategji tipike e Kremlinit dhe ajo vetëm sa do ta largojë Serbinë nga BE-ja. Gazetarët e pavarur janë patriotë, jo tradhtarë, ata besojnë se qytetarët duhet të informohen”, kishte deklaruar ambasadori Godfrey në konferencën “Kultura e Dialogut-Shoqëria Civile dhe Media” të organizuar nga Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogut Social.

Gazetari Sejdinoviç konsideron se situata është përshkallëzuar në atë masë saqë, gazetarët dhe shoqatat e mediave duhet të marrin një qëndrim më radikal, dhe të kenë parasysh mundësinë e largimit nga grupet dhe komisionet e ndryshme të punës (të institucioneve), në të cilat ata shpenzojnë energji të madhe pa rezultate të dukshme.

Media e pavarur dhe e vërteta janë kundërshtarët më të mëdhenj të Vuçiç-it

Sejdinoviç ka tërhequr një paralele mes situatës aktuale dhe një situate të më hershme lidhur me lirinë e mediave.

“Natyrisht, është e vështirë të supozohet se cilat forma të presionit do të pësojnë mediat dhe gazetarët e pavarur, por nuk duhet përjashtuar mundësia e sulmeve drastike ndaj lirive të mediave, siç e pamë në muzgun e regjimit të Millosheviç-it”.

Një situatë e tillë është mese e domosdoshme, vlerëson Sejdinoviç.

“Është e nevojshme të përgatitemi për këtë – do të jetë mizore, sepse besimi i regjimit të Vuçiç-it është se media e pavarur dhe e vërteta janë kundërshtarët e tij më të mëdhenj … Ai do ta mbrojë me gjithë forcën e tij”, është shprehur Sejdinoviç për Danas.

Ditë më parë rrjeti social Twitter kishte demaskuar disa nga mediat dhe gazetat më të njohura në Serbi, duke vënë në profilet e tyre etiketën e “Media e lidhur me shtetin”.

Kjo etiketë, siç shpjegohet nga gjigandi i rrjeteve sociale, Twitter, vendoset kur “Një shtet ushtron kontroll mbi përmbajtjen redaktoriale përmes burimeve financiare dhe presionit direkt ose indirekt politik”.

Mediat pro-qeveritare në Serbi të demaskuara nga Twitter

Mediat që Twitter ka klasifikuar dhe renditur si të tilla janë të përditshmet serbe si:Telegraf.sr, Kurir, Informer dhe Politika, dhe kanalet transmetuese televizive si: TV Happy, Prva TV dhe B92, portalin online të RTV Pink, si dhe agjencinë e lajmeve Tanjug.

Kjo etikë u shfaqet në profilin e tyre, si dhe në cicërimat që ato shkruajnë ose shpërndajnë.

Në raportin e fundit vjetor të Freedom House, Serbia është klasifikuar në kategorinë e “regjimeve hibride”. Gjithashtu, thuhet se ka ngecur në fushën e qeverisjes demokratike.

Serbia e kategorizuar si Regjim hibrid

Zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, sipas raportit, janë mbajtur pa konkurrencë dhe se rezultati i zgjedhjeve ishte një parlament de facto një partiak. Pushteti i Aleksandar Vuçiqit konsiderohet i centralizuar.

“Në Serbi, Presidenti Aleksandar Vuçiç dhe partia e tij “Partia Progresive Serbe” (SNS) kanë mbikëqyrur përfshirjen e fushatave të shpifjeve dhe propagandës së qeverisë, të cilat kontribuan në fitoren e gjerë të zgjedhjeve të SNS-së dhe formimin e një parlamenti jo-përfaqësues në vitin 2020” thuhet në raport

Raporti i Freedom House, “Shteti në tranzicion” vlerëson statusin e zhvillimit demokratik i cili shprehet në një “rezultat të demokracisë” nga 1 deri në 7.

Duke u bazuar në këtë, shtetet klasifikohen në kategoritë e “regjimeve autoritare të konsoliduara” (1.00 deri 2.00), “regjime autoritare gjysmë të konsoliduara-të konsoliduara” (2.01 deri 3.00), “regjime hibride kalimtare” (3.10 deri 4.00), “Demokraci gjysmë të konsoliduara” ( 4.01 deri 5.00) dhe “demokracitë e konsoliduara” (5.01 deri 7.00).

Duke parë këtë klasifikim, Serbia hynë në “regjime hibride kalimtare” ( 3.10 deri 4.00).

Ky kategorizim nga Freedom Hous për Serbinë bënë që ky shtet të mbetet larg sundimit të shtetit demokratik.

Niveli i Demokrcisë së shteteve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore