Lajme

Stefanoviç takon ambasadorin rus, thotë se “nuk do të lejojmë që jetët e serbëve të vihen në rrezik”


Ambasadori i Rusisë në Beograd, Aleksandër Boçan-Kharçenko dhe Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Nebojsha Stefanoviç

Të mërkurën pas një takimi me ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandër Boçan-Kharçenko, Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Nebojsha Stefanoviç, e falënderoi Rusinë për “mbështetjen solide dhe konsistente” që ajo i ka dhënë Serbisë në mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitet në çështjen e Kosovës, dhe veçanërisht, është shprehur ai, “në këto kohë të vështira që populli serb po përjeton në Kosovë”.

Nebojsha Stefanoviç, Ministri i Mbrotjes së Serbisë

Stefanoviç, shkruan në njoftimin për media të Ministrisë së Mbrojtjes të Serbisë, ka thënë se Kosova po thyen të drejtën e lëvizjes së lirë me vendime të njëanshme, dhe nuk po respekton Marrëveshjet e Brukselit.

“Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria e Serbisë me vendosmëri ndjekin politikën e Presidentin të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për ta bërë Serbinë faktor kyç të stabilitetit në këtë pjesë të Evropës” deklaroi ai, por shtoi se “nuk do të lejojmë që të rrezikohen jetët e serbëve”.

Ai bëri të ditur se bashkëpunimi me Rusinë në rrafshin e mbrojtjes ushtarake është në nivel shumë të lartë.

Ai shprehu kënaqësinë për vazhdimin e bashkëpunimit të zhvilluar ushtarak-teknik midis dy vendeve dhe gjithashtu dërgoi një ftesë për pjesëmarrjen e përfaqësuesve rusë në panairin e ardhshëm ushtarak-teknik “Partner 2021”, i cili do të mbahet në Beograd në tetor, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore