Lajme

Spanja ka dhënë mbrojtje të përkohshme për 138 mijë refugjatë ukrainas


Në Spanjë, qeveria ka zbuluar se gjashtë muaj që nga fillimi i luftës në Ukrainë, vendi ka tejkaluar 138 mijë mbrojtje të përkohshme për refugjatët ukrainas.

Zyra e Azilit dhe Refugjatëve (OAR) e ministrisë së Brendshme dhe Policia Kombëtare kanë dhënë 138 mijë e 370 mbrojtje të përkohshme për refugjatët ukrainas.

“Këto të dhëna e vendosin Spanjën ndër vendet evropiane që kanë dhënë më shumë mbrojtje për qytetarët dhe banorët e Ukrainës”, thuhet në deklaratë.

“E gjithë kjo është e mundur falë mekanizmit të vënë në veprim urgjentisht nga qeveria spanjolle më 10 mars për të respektuar marrëveshjen e BE-së, me të cilin për herë të parë në histori u autorizua përkohësisht zbatimi i Direktivës së Mbrojtjes”, vijon deklarata.

Të gjithë refugjatëve nga Ukraina që mbërrijnë në vend, sipas qeverisë, u jepet mbrojtje e përkohshme brenda 24 orëve nga momenti që ata e kërkojnë, për shkak të aktivizimit të kësaj mase nga BE-ja.

Procedura fillon në komisariatet e policisë spanjolle të shpërndara në të gjithë territorin dhe në qendrat e autorizuara të pritjes.

Atje, oficerët e Policisë Kombëtare, të mbështetur nga përkthyes, janë të ngarkuar për marrjen e të dhënave të identifikimit të refugjatëve ukrainas.

Më vonë, kërkesa shqyrtohet nga Zyra për Azil dhe Refugjatë e ministrisë së Brendshme brenda një afati maksimal prej 24 orësh.

Po ashtu të gjitha mbrojtjet e përkohshme të përpunuara përmbajnë një leje qëndrimi dhe një leje pune për ata të moshës madhore.

Drejtoria e Përgjithshme e Trafikut ka vendosur që personat e zhvendosur që marrin mbrojtje të përkohshme të përdorin ligjërisht lejen e drejtimit të tyre në Spanjë për të paktën një vit.

64,9 për qind e personave që morën këtë mbrojtje të përkohshme ishin gra, gjithsej 89 mijë e 832.

Sipas grupmoshave, 35,5 për qind janë nën 18 vjeç, 24,7 për qind janë midis 19 dhe 35 vjeç, 33,2 për qind janë midis 36 dhe 64 vjeç, kurse 6,6 për qind janë mbi 65 vjeç.

Marrë nga “Schengen Visa Info”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore