Lajme

Skandali: Kjo është revista ku Qeveria sponsorizoi artikullin që thotë se “Kosova… një tokë ku lindën manastiret madhështore ortodokse serbe”


Revista franceze që promovon guida turistike dhe prezanton vende për t’u vizituar, me financim të Qeverisë së Kosovës ka publikuar një artikull për Kosovën ku, pos tjerash, thuhet se Kosova “gjithashtu ka qenë një tokë bizantine ku lindën manastiret e saj madhështore ortodokse serbe”.

Artikulli gjithashtu nuk e prezanton mirë Kosovën në një pjesë, duke u thënë se “Ky komb i ri është në (ri)ndërtim të plotë.  Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kosova ishte vendi më i varfër në Evropë në vitin 2021”, por më pas shtohet se “një  shprese frynë mbi Kosovë nga zgjedhjet e shkurtit”.

Artikullin e ka prezantuar në Parlamentin e Kosovës, deputeti i Partisë Demokratike, Abelard Tahiri, të cilin e kishte njoftuar i shokuar një shqiptar që jeton në Francë.

“Dje e kam pranuar një telefonatë nga një bashkatdhetar i ynë në Francë, ku më thotë , ‘si është e mundur që Qeveria e Republikës Kosovës ta promovojë Kosovën si vend ku kanë lindë manastiret madhështore të Kishës Ortodokse Serbe’?”.

Artikulli konkretisht është i sponsorizuar nga Agjencia Kosovare për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve e njohur si KIESA.

Tahiri tha në Kuvend që fillimisht nuk e kishte besuar atë që po dëgjonte. “Mbeta i çuditur”.

“Thash mos e ke ngatërruar me qeverinë e Republikës Serbisë, sepse nuk besoj që Qeveria e Republikës Kosovës promovon Kosovën si vend ku kanë lindë manastiret madhështore Ortodokse serbe. Po e citoj fjalë për fjale dhe i nderuari ma dërgoi revistën”.

“Pra Petit, magazina Petit Fute në Francë, në një vend ku ka rreth 50 milionë banorë Qeveria e Republikës Kosovës promovon një artikull, pra në këtë rast Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e cila në mes të tjerash thotë: Kosova ka qenë një tokë bizantine ku lindën manastiret madhështore të Kishës Ortodokse Serbe”.

Tahiri është ankuar se ky nuk është promovim, por dëmtim i Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Një promovim i një artikulli të tillë nga qeveria e republikës së Kosovës unë nuk e di çka ka me thonë ma tutje në këtë rast Vuçiç-i, ose Jeremiçi ose Tadiçi ose ai tjetri. A e shihni se çfarë argumente ju jepni ju kundërshtarëve të pavarësisë Republikës Kosovës nesër në Këshill të Sigurimit me ta ngritë?”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore