Shqipëria

Sipas Belerit vendimi i Gjykatës nuk e ndalon dot betimin e tij


“Nuk ka vendim gjykate, që ta ndalojë betimin tim në krye të Bashkisë Himarë”.

Këtë mendim ka kreu i zgjedhur i institucionit vendor qeverisës, Fredi Beleri, i cili prej majit gjendet i burgosur, nën akuzën e shitblerjes së votave.

Përmes një postimi në median sociale Facebook, Beleri ka thënë se nuk ka asnjë vendim gjyqësor që të ketë rrëzuar kërkesën e tij për leje të veçantë për të bërë betimin.

“Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në dy raste është shprehur jashtë afatit 24-orë, të parashikuar në rregullore dhe në rastin e fundit nuk është shprehur fare, me qëllim që unë të mos ta ankimoj refuzimin në gjykatë”, shkruan ai fillimisht. “Dihet botërisht se IEVP Penale dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve janë nomenklaturë e Këshillit të Ministrave në Shqipëri dhe nuk janë organe të pavarura të drejtësisë”.

Me këtë reagim, Beleri i drejtohet drejtpërdrejt kryeministrit Edi Rama, duke e etiketuar atë edhe në citimin fillestar të publikimit, të cilin e titullon “Kush (kë) po dizinformon z. Rama?”.

Mirëpo, nga ana tjetër, kreu i Qeverisë shqiptare e ka bërë të qartë se çështja Beleri nuk është politike, sakaq krejtësisht ligjore dhe në duart e drejtësisë.

Beleri është çështje vetëm e SPAK, ‘kërcënimet’ e Athinës për pengim integrimi janë joevropiane – Rama intervistë për televizionin grek ERT

Ndaj, ai nuk ka ndërhyrë asnjë sekondë për të interferuar me punën e organeve të drejtësisë.

Teksa, së fundmi, pjesë e çështjes Beleri janë bërë edhe Partitë Popullore Evropiane, të cilat kanë kërkuar lirimin e Belerit, pasi mbahet “padrejtësisht në paraburgim”.

Tronditëse nëse PPE kërkon rezultat tjetër nga ai i Gjykatës për Belerin, thotë Rama

Njëjtë e ka qëndrimin edhe shteti grek, ku prej kësaj ngjarjeje, ka pasur edhe tensione të larta diplomatike, të cilat kulmuan me mungesën e ftesës për kryeministrin Rama në një takim informal të zhvilluar në Athinë me liderët e rajonit, nga homologu i tij grek, Kyriakos MItsotakis.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore