Lajme

Siguria, interes nacional i Britanisë së Madhe – do t’i luftojmë ata që duan të shkaktojnë trazira, thotë Cameron


Vjosa Osmani dhe David Cameron

Siguria në Ballkanin Perëndimor është interes nacional i Britanisë së Madhe, ka thënë Sekretari i Jashtëm, David Cameron, në një deklaratë për agjencinë britanike të lajmeve “Reuters” të enjten, ndërsa duke iu referuar sulmit të paramilitarëve serbë në fshatin Banjë të Zveçanit, shtoi se ajo që ndodhi më 24 shtator 2023 në pjesën veriore të Kosovës ishte shumë shqetësuese.

Cameron vizitoi të enjten kontigjentin britanik të Forcës së NATO-s (KFOR) në Kosovë, ku shprehu edhe një herë shqetësimin për situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Ai tha Britania e Madhe, me shumë të drejtë, ndihmon Kosovën në përpjekjet e saj për stabilitet, siguri e prosperitet, derisa shtoi se ajo që ndodhi vitin e kaluar nuk duhet të përsëritet sërish.

“Ajo që ka ndodhur në shtator mendoj se ishte ekstremisht shqetësuese dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi që ta parandalojmë dhe ta luftojmë nëse ndodh sërish”, nënvizoi ai në një deklaratë pas një vizite që u ka bërë ushtarëve britanikë të KFOR-it që shërbejnë në Kosovë.

“Kosova është shtet i pavarur, sovran që do stabilitet, siguri dhe prosperitet. Britania e Madhe po ndihmon në të gjitha këto dhe ajo që ne po bëjmë është e drejtë”, tha ai. “Stabiliteti në Ballkan, siguria në Ballkan, ndalimi i atyre që duan të shkaktojnë trazira dhe probleme, janë interesa direkte kombëtare të Britanisë së Madhe”, deklaroi kryediplomati britanik.

Shefi i diplomacisë britanike, pas takimeve që zhvilloi me krerët e institiconeve kosovare, të cilët i siguroi se Britania e Madhe do të vazhdojë të kontribuojë në zhvillimin e Kosovës, vizitoi edhe kampin e misionit paqeruajtës të KFOR-it në Prishtinë, ku takoi komandantin turk, Ozkan Ulutas, me të cilin diskutoi për situatën e sigurisë në vend.

Vizita e Sekretarit të Jashtëm të Britanisë së Madhe vjen në një kohë sfiduese për vendin. Cameron siguroi mbështetje të madhe për Kosovën, duke garantuar se Britania e Madhe do ta ndihmojë Kosovën përgjatë proceseve nëpër të cilat është duke kaluar, sikurse brenda, ashtu edhe jashtë vendit.

NATO-ja ka shtuar numrin e ushtarëve në Kosovë. Rreth 1000 ushtarë në kaudër të KFOR-it kanë zbarkuar në vend, përfshirë 200 ushtarë britanikë – prezenca më e madhe e NATO-s në dhjetë vitet e fundit – kryesisht për shkak të paralajmërimeve për mundësinë e përshkallëzimit të tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë dhe cenimit të paqes e sigurisë në rajon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore