Shqipëria

Shqipëria po punon për krijimin e kapaciteteve të kërkuara nga NATO, thotë Mbrojtja për AP-në


Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë deklaroi për Albanian Post se po punon për krijimin kapaciteteve të kërkuara dhe të deklaruara në NATO.

Kjo, në kuadër të modernizimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Institucioni nuk sqaroi menjëherë nëse vendimi lidhej me kërkesën e Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës, Jens Stoltenberg.

“Shqipëria në kuadër të modernizimit të FARSH-it, po punon për krijimin e kapaciteteve të kërkuara dhe të deklaruara në NATO. Në kuadër të këtij procesi është duke investuar në mjete, trajnime etj”, ishte njoftimi zyrtar i ministrisë për AP-në.

Kujtojmë që NATO është në diskutime me kompanitë e mbrojtjes dhe anëtarët e aleancës se si të rrisë prodhimin e armëve dhe të plotësojë rezervat që janë eliminuar nga dërgesat e materialit për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj me Rusinë.

“Por sigurisht që sa më gjatë të vazhdojë lufta në Ukrainë, kjo punë me industrinë bëhet gjithnjë e më e rëndësishme”, tha ai, duke shtuar se NATO-s do t’i duhet t’u japë kompanive të mbrojtjes udhëzime për nevojat e aftësive.

Dërgesat

“Shqipëria pa dyshim që nuk është prapa vendeve të tjera, ne tashmë kemi dërguar ndihmën e parë të rëndësishme, të qenësishme në mjete ushtarake në Ukrainë dhe jemi angazhuar edhe sot e në vijim për të shtuar kontributet me gjithë mundësitë tona, qoftë me municione dhe me mjete ushtarake, por pa dyshim edhe me pajisje humanitare qoftë nga ushtria shqiptare, por edhe nga shoqëria civile”.

Kjo ishte deklarata e ministrit shqiptar të Mbrojtjes, Niko Peleshi, gjatë muajit mars.

Asokohe, zyrtari shqiptar nuk ndau detaje mbi sasitë apo llojin e municioneve dhe pajisjeve ushtarake që janë dërguar në Ukrainë.

Peleshi bënte me dije se autoritetet shqiptare kanë ndihmuar dhe mbështetur me logjistikë vende anëtare të NATO-s.

Më herët u zbulua se ndihmat ushtarake nga Shqipëria organizoheshin përmes fluturimeve në Islandë.

Ndër 13 vendet e përfshira në organizimin e këtyre fluturimeve në bashkëpunim me Qeverinë dhe Ushtrinë e Islandës, gjendej e përfshirë edhe Tirana zyrtare.

Në tërësi, bëhet fjalë se ka pasur 13 fluturime që prej fundit të shkurtit, me armatime nga Shqipëria, Sllovenia, Italia, Kroacia dhe Portugalia, raporton Albanian Post.

Ndërtimi i situatës

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka pranuar se disa aleatë po dërgojnë armë në Ukrainë që do të kishin planifikuar t’i mbanin për vete – gjë që ai nuk mendon se është problem.

“Ata kanë reduktuar stoqet e tyre”, tha ai përpara një takimi dy-ditor të ministrave të mbrojtjes dhe mbledhjes së Grupit të Kontaktit të Ukrainës të udhëhequr nga Amerika në Bruksel. “Por kjo ka qenë gjëja e duhur për t’u bërë, sepse është e rëndësishme për të gjithë ne që Ukraina të fitojë betejën”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kërkoi më herët që aleatët t’u ofrojnë forcave të tij pajisjet që u nevojiten dhe të plotësojnë çdo boshllëk të mundshëm.

“Rrisni furnizimin me armë dhe municione për t’u mbrojtur kundër presionit rus”, u kërkoi ai udhëheqësve të BE-së të mbledhur javën e kaluar në Pragë. “Rritja e prodhimit të armëve dhe municioneve në Evropë për të qenë gjithmonë gati për të mbrojtur hapësirën tonë të përbashkët”.

Këto janë synime që vetë NATO ka pasur prej kohësh për anëtarët e saj. Por në mungesë të një lufte të afërt, aleatët nuk kanë nxituar për të përmirësuar prokurimin e armëve dhe për të arritur ndërveprim më të lartë.

Prodhimi i armëve është një proces i ngadaltë dhe tani – ndërsa shtetet e NATO-s duhet të shikojnë thellë në magazinat e tyre për sendet për t’i dërguar Ukrainës – qeveritë po kërkojnë gjithashtu mënyra më të mira për t’i rimbushur ato stoqe për vete.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore