Lajme

Shpaloset agjenda e takimit të tetë ndërqeveritar Kosovë-Shqipëri


Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti

Në agjendën e publikuar nga kryeministria kosovare rreth mbledhjes së tetë ndërqeveritare Kosovë-Shqipëri, bëhet e ditur se kryeministrat respektivë, Albin Kurti dhe Edi Rama, do të prezantojnë dhe nënshkruajnë marrëveshjet rreth infrastrukturës portuale dhe hekurudhore kombëtare në funksion të tregut të përbashkët kombëtar dhe katër lirive ekonomike.

Në mesin e tyre, siç shpaloset nga agjenda, janë: Projekti i Portit të ri tregtar Porto Romano, integrimi me hekurudhën Durrës – Prishtinë, dhe Porti i Thatë në Kosovë.

Në orën 10:45 të mëngjesit mbërrin delegacioni i qeverisë shqiptare në hotelin Garden në Prishtinë, ndërsa Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në ora 11:00.

Në hapjen e sesionit plenar të mbledhjes së dy qeverive do të marrin fjalën kryeministri kosovar, Albin Kurti dhe ai shqiptar Edi Rama, si dhe të anëtarët e dy kabineteve për të parashtruar çështjet kryesore dhe marrëveshjet për nënshkrim.

Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve do të jetë rreth orës 12:30, ku pas nënshkrimit do të ketë konferencë për media ku do të dëgjohen adresimet e dy kryeministrave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore