Lajme

Shkarkimi i kryetarëve, KQZ ende po verifikon nënshkrimet e mbledhura në Veri


Kreshnik Radoniqi dhe Michael Davenport

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, këtë të premte, ka bërë të ditur se KQZ-ja është në fazën e verifikimit të nënshkrimeve të mbledhura nga peticionin e organizuar në katër komunat veriore të Kosovës për shkarkimin e kryetarëve.

Këto komente Radoniqi i bëri pas takimit me Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport.

Radoniqi në takim me Davenport ka potencuar ndër të tjera se pas verifikimit të nënshkrimeve KQZ do të informojë të gjitha palët, përfshirë ministrinë, kryesuesit e kuvendeve komunale, kryetarët e komunave, grupet nismëtare, por edhe qytetarët dhe mediat për procesin e shkarkimit të kryetarëve.

Për takimin në fjalë është deklaruar edhe ambasadori Davenport, i cili ndër të tjera ka potencuar rolin e KQZ në sigurimin e një procesi transparent të shkarkimit të kryetarëve shqiptarë nga komunat veriore.

“Me Kreshin Radoniqin diskutuam procesin e vazhdimit të largimit të kryetarëve të komunave në Veri të Kosovës”.

Brenda vetëm një dite qytetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit e Zubin Potokut kanë mbledhur nënshkrimet e nevojshme për largimin e kryetarëve shqiptarë nga komunat respektive të tyre.

Erden Atiq, Lulzim Hetemi, Ilir Peci e Izmir Zeqiri janë vetëm një hap larg shkarkimit nga posti që po mbajnë që nga muaj maj i vitit të kaluar.

Të njëjtit do të vazhdojnë të jenë kryetarë komunash, derisa të përfundojë e gjithë procedura e largimit të tyre përmes peticionit.

Peticioni për shkarkimin e kryetarit të komunës u mbajt në bazë të Udhëzimit Administrativ që Qeveria e Kosovës e miratoi shtatorin e vitit të kaluar për t’i hapur rrugë shpalljes së zgjedhjeve lokale në komunat në Veri, pasi serbët lokalë nuk po i pranojnë kryetarët shqiptarë.

Pas përfundimit të Peticionit, sipas Udhëzimit Administrativ, procedura duhet të vazhdojë me procedimin e rezultateve në Komisionin Qendror Zgjedhor i cili do të verifikojë nënshkrimet.

Nëse gjithçka është në rregull atëherë pritet të caktohet datë e zgjedhjeve nga KQZ.

Banorët e këtyre komunave pas caktimit të datës së zgjedhjeve do të dalin të votojnë për largimin e kryetarëve aktual.

Nëse votojnë mbi 50 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve, atëherë procesi është i legjitimuar dhe kryetarët duhet të largohen nga pozitat e tyre, duke hapur rrugë një tjetër procesi zgjedhor – atë të zgjedhjes së kryetarit të ri.

Edhe në Zveçan e Zubin Potok mblidhen nënshkrimet e nevojshme për shkarkimin e kryetarëve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore