Shqipëria

SHBA-të dënojnë fuqishëm sulmin kibernetik të Iranit kundër Shqipërisë


Shtetet e Bashkuara kanë dënuar fuqishëm sulmin kibernetik të Iranit kundër aleatit të NATO-s, Shqipërisë.

Lajmi u bë i ditur nga autoritetet amerikane pas reagimit të qeverisë shqiptare për sulmin.

“Ne i bashkohemi thirrjes së kryeministrit Rama që Irani të mbajë përgjegjësi për këtë incident të paprecedentë kibernetik. Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin veprime të mëtejshme për ta mbajtur Iranin përgjegjës për veprimet që kërcënojnë sigurinë e një aleati të SHBA-ve dhe që krijojnë një precedent shqetësues për hapësirën kibernetike”, vijon njoftimi.

Deklarata zbulon se për javë të tëra, qeveria amerikane ka qenë në terren.

Kjo, duke punuar së bashku me partnerët e sektorit privat për të mbështetur përpjekjet e Shqipërisë për të zbutur, rikuperuar dhe hetuar sulmin kibernetik të 15 korrikut.

Sulmi shkatërroi për disa javë të dhënat e qeverisë dhe ndërpreu shërbimet qeveritare për publikun.

“Ne kemi arritur në përfundimin se Qeveria e Iranit kreu këtë sulm kibernetik të pamatur dhe të papërgjegjshëm dhe se ajo është përgjegjëse për operacionet e mëvonshme të hakerave dhe rrjedhjeve”, shtojnë autoritetet amerikane.

Sipas SHBA-ve, sjellja e Iranit shpërfill normat e sjelljes së përgjegjshme të shtetit në kohë paqeje në hapësirën kibernetike.

Në të përfshihet një normë për t’u përmbajtur nga dëmtimi i infrastrukturës kritike që ofron shërbime për publikun.

“Aktiviteti keqdashës kibernetik nga një shtet që dëmton qëllimisht infrastrukturën kritike ose në ndonjë mënyrë tjetër dëmton përdorimin dhe funksionimin e saj për të ofruar shërbime për publikun, mund të ketë efekte kaskaduese vendase, rajonale dhe globale; paraqesin një rrezik të lartë të dëmtimit të popullatës; dhe mund të çojë në përshkallëzim dhe konflikt”, thekson reagimi i SHBA-ve.

Në përmbyllje, autoritetet amerikane ravijëzojnë mbështetjen e përpjekjeve korrigjuese të Shqipërisë në një afat më të gjatë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore