Sport

Shaw vazhdon kontratën me Manchester United


Manchester United ka konfirmuar se Luke Shaw ka nënshkruar një kontratë të re me klubin deri në vitin 2027.

Mbrojtësi ka bërë 249 paraqitje për United që kur u bashkua nga Southampton në vitin 2014, transferim ky që i kushtoi “Djajve të Kuq” 37 milionë euro.

Në fillim të këtij sezoni, United bëri një zgjatje njëvjeçare të kontratës së Shaw për ta mbajtur atë në “Old Trafford” deri në vitin 2024.

Megjithatë, mbrojtësi anësor tani ka nënshkruar një marrëveshje më afatgjatë sesa pritej.

“Nëntë vjet më parë, unë nënshkrova për këtë klub të mrekullueshëm dhe jam i emocionuar që do të zgjas qëndrimin tim. Jam rritur jashtëzakonisht që kur erdha në Mançester gjithë ato vite më parë, si person dhe si lojtar”, tha Luke Shaw.

“Ne jemi në fillim të rrugëtimit tonë nën menaxherin dhe stafin e tij stërvitor. Ne kemi qenë të suksesshëm tashmë këtë sezon, por duam shumë më tepër”, shtoi anglezi.

“Ka një mundësi të shkëlqyer për të krijuar diçka të veçantë këtu dhe unë do të jap gjithçka për të qenë pjesë e kësaj”, tha mes tjerash Shaw.

Drejtori i futbollit të Manchester United, John Murtough shtoi: “Luke është një lojtar jashtëzakonisht i rëndësishëm për skuadër dhe është rritur në një nga mbrojtësit më të mirë në botë”.

“Ai ka qenë në klub për gati një dekadë dhe i kupton pritshmëritë për sukses dhe punën e palodhur, përkushtimin dhe standardet e larta që kërkohen për ta arritur atë”.

“Ai ka shtuar lidershipin në aftësitë e tij të tjera të jashtëzakonshme dhe ne të gjithë presim ta shohim atë në një fanellë të Manchester United për vitet në vijim”, ka thënë Murtough.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore