Lajme

Separatistët rusë shpallin fitoren në referendumet e aneksimit


Në të katër rajonet ukrainase, të uzurpuara nga Rusia – Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson – separatistët rusë kanë shpallur fitore në referendumet e ashtuquajtura të aneksimit dhe pranimit të aderimit në Federatën ruse.

Të katër rajonet, prej muajsh gjenden nën uzurpimin rus, pas agresionit të Moskës në Ukrainë, me fillim në 24 shkurt.

Ndaj, kreu i Kremlinit, Vladimir Putin, vendosi të ndërmerrte një sërë referendumesh, të cilat bota perëndimore nuk do t’i njohë, siç është bërë me dije më parë.

Kushtet në të cilat votimet e ashtuquajtura janë zhvilluar kanë qenë ekstreme, nën kërcënimin e armëve dhe me një votim kolektiv familjar e jo individual, nga çfarë është raportuar më herët në media të pavarura botërore.

Mirëpo kjo gjë, nuk e ka ndaluar Rusinë të shpallë këtë fitore të parakohshme mbi referendumet në rajonet ukrainase, për të cilat askush nuk kishte dyshime se si do të rezultonin.

Rajoni industrial i Donbassit u kthye në mes të luftës edhe në synimin kryesor të Moskës, pasi Ushtria ruse u tërhoq nga Kievi dhe vendosi të zhvillojë gjithë ofensivën në lindje, pas rigrupimit.

Kështu, ata arritën të vënë nën kontroll të gjithë Donetskun dhe Luhanskun, përpos Zaporizhizhias dhe Khersonit, të cilët i kontrollonin që prej ditëve të para të luftës.

Nga ana tjetër Ukraina e ka bërë të qartë se nuk do të dorëzohet dhe një kundërofensivë ka nisur prej disa javësh në lindje, ku rreth 6 mijë kilometra katrorë i janë rikthyer Kievit.

Fronti i luftës, është zhvendosur pikërisht në Donbass, ku po zhvillohen prej kohësh edhe luftimet më të ashpra mes palëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore