Gjykata Speciale

Selimi: S’kam të bëj asgjë me krimet e pretenduara, aktakuza s’ka fakte dhe argumente


Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, i akuzuar për krime lufte nga Gjykata Speciale, ka thënë se ndihet i pafajshëm për akuzat që i vihen në barrë.

“Përballë kësaj aktakuze deklarohem se nuk kam të bëj asgjë me krimet e pretenduara”, tha Selimi.

“Aktakuza nuk ka fakte dhe argumente”, shtoi ai.

“Në fillim të viteve 90-isha student në Universitetin e Prishtinës. Na dëbuan na konviktet, shihja autoblinda me policë të armatosura duke nxjerrë studentë jashtë”, shtoi Selimi.

Në fjalimin e tij, Selimi ka potencuar se dhuna ndaj shqiptarëve përshkallëzohej vazhdimisht.

“Të rijnë shqiptarë dërgoheshin me dhunë në ushtrinë jugosllave, jo për të shërbyer në ushtri, por për ta na vrarë ashtu siç i vranë shumë të rijnë që i dërgonin në ushtri dhe pastaj i kthenin në arkivole”.

“Si sot më kujtohet kur bashkëmoshatarin tim Jetullah Desku e dërguan me forcë në shërbim ushtarak dhe më pas e kthyen në arkivol duke i thënë familjes së tij se e kishte vrarë veten”.

Selimi ka thënë se personalisht si student mes rrugës që të largohej nga Kosova, ose të rrinte në shtëpi kishte zgjedhur një tjetër shteg.

“Në mes këtyre dy opsioneve zgjodha një rrugë të tretë. Unë ju bashkova një familjeje akoma më të madhe, Familjes Jashari në Prekaz. Lashë ëndrrat e mia, studimet e letërsisë dhe u bëra pjesë e  UÇK-së. UÇK e kishte emrin ushtri por nuk numëronte shumë njerëz. Njerëz e armë kishim pak, por vullnetin e kishim të madh”, është shprehur Selimi.

Selimi është shprehur i bindu se bashkë me të tjerët do të dalin fitimtar në fund të procesit, duke shtuar se “dallimet dhe opinionet politike mes nesh nuk duhet dhe nuk mund të përdoren si fakte juridike kundër askujt e po ashtu kundër ne të bashkakuzuarve”.

“Në këto qaste kur ne flasim e po na shohin qytetarët, kam shumë besimin se të gjithë së bashku do ta nxjerrim të vërtetën. Dhe unë bashkë me bashkëluftëtarët e mi do të kthehemi të lirë, për të cilin luftuam gjatë gjithë jetës tonë”.

Ai ka kërkuar që të flitet për krimet që në të vërtetë kanë ndodhur.

“Për të gjitha masakrat, apo qindra të tjera ku janë vrarë fëmijët në gjirin e nënave të tyre. Le të flasim për Dubravën. Për të zhdukurit me dhunë ku edhe sot mijëra nuk janë gjetur akoma. Le të flasim për krejt ata kriminelë që kanë bërë krime e nuk janë ndëshkuar”.

“Pas përfundimit të luftës ata që morën përgjegjësinë për rendin dhe sigurinë ishte KFOR-i dhe UNMIK-u. Bashkë me ta u përpoqëm që Kosova të bëhej shtet. Si rezultat sot Kosova është shtet sovran dhe demokratik. Pas themelimit të kësaj gjykate, jo rrallë herë jam pyetur se a kisha frikë nga drejtësia”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore