Lajme

SBASHK: Një javë pushim për institucionet shkollore në Kosovë


Javën e ardhshme të gjitha institucionet e arsimit para universitar do të shkojnë në pushim pranveror për një javë ku pas këtij pushimi sërish procesi mësimor do të mbahet me prezencë fizike në objektet shkollore.

“Pas diskutimeve të bëra me rekomandim të përfaqësuesve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik është vendosur që gjatë javës së ardhshme në të gjitha shkollat të mbahet një javë pushim pranveror i cili ishte i planifikuar për këtë javë”.

Këtë e ka bërë të ditur për Albanian Post, përfaqësuesi i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Ymer Ymeri, i cili ka qenë prezent në takimin e mbajtur me ministren e Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci dhe përfaqësuesit e tjerë.

Sipas Ymerit të gjithë pjesëmarrësit në takim duke përfshirë edhe këshillin e prindërve, drejtoritë komunale të arsimit, disa drejtorë të shkollave “kanë qenë unanimisht të pajtimit që java e ardhshme të jetë pushim”, mirëpo të mërkurën pritet të merret vendimi nga ministrja Nagavci.

Po ashtu, ai ka treguar se janë nëntë ditë të humbura për shkak të zgjatjes së pushimeve në dhjetor dhe në janar, nga të cilat dy ditë janë zëvendësuar në këtë javë kurse shtatë ditët e tjera pritet të zëvendësohen javëve në vazhdim.

Vendimi se si do të zëvendësohen këto ditë, në fund të vitit shkollor apo të shtunave do të merret nga ministrja e arsimit, për të cilat SBASHK-u ka propozuar që këto ditë të zëvendësohen të shtunave.

Ministrja Nagavci ka mbajtur një takim i cili është vazhdimësi e takimit të 26 marsit.

Ky takim është mbajtur me qëllim për të shqyrtuar mundësitë e organizimit të mësimit gjatë ditëve në vijim, respektivisht mundësinë e pushimit pranveror, zëvendësimin e ditëve të humbura gjatë këtij viti shkollor dhe mësimin plotësues për nxënësit e nivelit fillor dhe atyre që kanë mbetur prapa në mësime.

Në këtë mbledhje kanë marrë pjesë edhe zyrtarët e MASH-it, përfaqësues të Kolegjiumit të DKA-së, këshilli i prindërve, drejtorë të shkollave, Instituti Kombëtar i shëndetit Publik dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore