Lajme

Kosovë: Të mërkurën pritet vendimi për pushimin pranveror në të gjitha shkollat


Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci ka mbajtur një takim i cili është vazhdimësi e takimit të 26 marsit.

Nagavci kërkoi nga Kolegjiumi i Drejtorisë Komunale të Arsimit që “deri të mërkurën të dalin me rekomandime rreth çështjeve që u diskutuan, në mënyrë që të merret një vendim i qartë dhe të gjithë akterët e përfshirë në arsim të informohen me kohë”.

Ky takim është mbajtur me qëllim për të shqyrtuar mundësitë e organizimit të mësimit gjatë ditëve në vijim, respektivisht mundësinë e pushimit pranveror, zëvendësimin e ditëve të humbura gjatë këtij viti shkollor dhe mësimin plotësues për nxënësit e nivelit fillor dhe atyre që kanë mbetur prapa në mësime.

“Të gjithë pjesëmarrësit në takim u pajtuan se është i nevojshëm pushimi pranveror për shkak të ngarkesës së madhe të mësimdhënësve gjatë punës me grupe, dezinfektimit të shkollave, si dhe për të zbutur situatën aktuale pandemike në arsim dhe atë në përgjithësi”, thuhet ne njoftimin e MASH-it në faqen zyrtare.

Në këtë mbledhje, Nagavci theksoi brengën e saj për cilësinë e mësimnxënies gjatë këtij viti të vështirë dhe sfidues shkollor, por theksoi se “primar mbetet shëndeti i personelit arsimor dhe i nxënësve”.

Ajo po ashtu, ka kërkuar bashkëpunimin e të gjithëve “në mënyrë që të menaxhohet sa më mirë që të jetë e mundur situata dhe të arrihet cilësi në mësimnxënie për aq sa është e mundur”.

Në këtë mbledhje kanë marrë pjesë edhe zyrtarët e MASH-it, përfaqësues të Kolegjiumit të DKA-së, këshilli i prindërve, drejtorë të shkollave, Instituti Kombëtar i shëndetit Publik dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore