Lajme

Sauli Niinistö: Këto janë kërkesat e Putin’it, ai është i vendosur dhe i pamëshirshëm – “nënën Rusi e do më shumë se nënën e tij”


Sauli Niinistö gjatë intervistës për Christiane Amanpour në CNN

Sauli Niinistö, presidenti aktual i Finlandës dhe një nga politikanët me karrierë të gjatë në arenën ndërkombëtare, është edhe politikani perëndimor që Vladimir Putin ia hap telefonin sa herë që ky e thërret.

Është gjithashtu një nga presidentët që Putin e nënkupton jo si pjesë e grupit të liderëve perëndimorë, por si një vijë e mesme, si një zonë që s’është me vetë Putin-in, por s’është krejtësisht as me Perëndimin.

Niinistö, duke qenë politikan i drejtpërdrejtë dhe i njohur si dikush që publikut i ofron më shumë informacion nga brenda, sesa shumica e politikanëve me gjuhë diplomatike, në një intervistë për Christiane Amanpour në CNN, vetëm tri ditë pasi kishte pasur telefonatë me Putin-in, ka treguar se cilat janë kërkesat konkrete të Putin, cila është logjika me të cilën mendon ai dhe ku e ka nisjen pushtimi rus.

“Ai (Putin-i) është shumë idhnak dhe ka urrejtje të rritur brenda tij, nisja e tij është me ‘nënën Rusi’ dhe Ukraina të qenurit pjesë e saj”, deklaron Niinistö.

“Ai (Putin-i) fillon duke fajësuar ukrainasit për Donbasin. Por, unë i kam thënë se ‘ti po bën luftë, njerëzit po vdesin dhe s’kanë të bëjnë gjë me Donbasin tënd’, por këtu s’mu përgjigj”, shpjegon finlandezi, derisa shpalos telefonatën e fundit të tij me Putin-in.

“Historia e tij në KGB nënkupton se je gjithë kohën në betejë”, sqaron Niinistö. “Ai është luftëtar”.

“Këtë ja pata thënë edhe Trump-it para se ta takonte në Helsink”.

“Po ka edhe elemente të tjera që kanë të bëjnë me ‘nënë Rusinë’. Ju e dini që ai ka lidhje të forta edhe me Kishën Ortodokse. Nëse i bëni këto të dyja bashkë: një luftëtar dhe këtë mënyrë të të menduarit me ‘nënën Rusi’; do thosha se ai më shumë e do dhe e respekton ‘nënën Rusi’ sesa nënën e tij biologjike”.

Por, pse Putin e nisi luftën në Ukrainë pikërisht tani?

Niinistö e ka një ide se çfarë e ka bindur Kremlinin se tash është koha.

“Kalkulimi i tij ishte: mirë, amerikanët janë tkurrur, në SHBA po ka shumë zhvillime të brendshme dhe ndoshta edhe Afganistani i ka dhënë ndonjë sinjal se ky është momenti. Dhe, në anën tjetër, nëse e shohim situatën nga Kremlini, ata pa dyshim e kanë parë se Ukraina po rritet ekonomikisht, po bëhet më e fortë dhe ndoshta edhe kjo është parë si ‘tani është momenti’”.

Niinistö, që ka së paku 10 vjet që komunikon vazhdimisht me Putin-in dhe ka raport më të relaksuar me të se shumë liderë të tjerë perëndimorë, ka shpjeguar për Amanpour se cila është lista konkrete e kërkesave të presidentit rus.

Niinistö dhe Putin gjatë një takimi në vitin 2015

“Putin-i e ka listën e tij, të gjithë e dimë, por duket se ndryshimi i qeverisë në Ukrainë nuk gjendet më në listë. Kur e kam pyetur, ai tha se ‘nuk e kam pasur kurrë në listë’. Ishte shumë i qartë kur i thashë unë ‘a ke hequr dorë nga ajo kërkesë?’, ai tha se ‘unë kurrë s’e kam pasur atë kërkesë’”.

Atëherë, çfarë do Putin?

“Ai do njohjen e Krimesë si pjesë e Rusisë”, pohon Niinistö. “Ai do rajonin e Donbasit, por një Donbas më të gjerë. Ai do Donbasin, por jo veç si është tani në hartë, por më të gjerë”.

Rajoni i Donasit

Putini do gjithashtu edhe “neutralitetin e Ukrainës” dhe mbase “demilitarizimin e saj”.

Për të gjitha këto kërkesa, Niinistö deklaron se Putin është tejet i vendosur.

“Në dhjetor kur kisha një telefonatë me të e pata përshkruar se më tingëlloi ‘shumë i vendosur’ dhe kjo po vazhdon të jetë ashtu. I vendosur me listën e tij të kërkesave”.

Përkundër se dorë nga kërkesat nuk heq, Putin pasi ka parë sesi janë gjërat në terren dhe rezistencën e ukrainasve, mbase e ka zbutur mënyrën se si e do realizimin e këtyre kërkesave.

“Në telefonatën time të fundit me të, për herë të parë, ai e mbylli duke më thënë ‘jam i hapur në çdo kohë’. Çfarë mund të kuptojmë nga kjo: ai do që të vazhdojmë të bisedojmë. Mbase po ndien një nevojë të veçantë për të mbajtur kontakte dhe për të pasur diskutime”.

Por, diskutimet Putin i do konkretisht me një vend – Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Një gjë është shumë e qartë”, pohon Niinistö, “ai do të bisedojë direkt me Washington-in, sepse e vë në atë nivel”.

Presidenti finlandez është munduar të shpjegojë për njerëzit edhe atë që duket si neglizhencë e Perëndimit për të bërë më shumë në ndihmë të Ukrainës.

Ai thotë se i kupton njerëzit, por gjithashtu pohon se mbase njerëzit s’e kuptojnë saktësisht situatën.

“Janë pak të hutur se pse Perëndimi s’mund të bëjë më shumë. Eskalimin nuk e kanë shumë në mendje, më shumë kanë pamjet e njerëzve që po vuajnë. Është shumë e vështirë. Edhe unë nganjëherë mendoj dhe i vë në peshore: këtu kemi njerëz që vdesin dhe këtu rrezik për eskalim, cila peshon më shumë?”.

Duke përmendur thënien e kahershme të akademikut dhe ish-sekretarit amerikan të shtetit, Henry Kissinger, Niinistö pohon se “kurdo që paqja është në diskutim në arenën ndërkombëtare, të gjithë janë në mëshirën e më të pamëshirshmit. Në këtë rast, Putin-i është më i pamëshirshmi”.

“Ai (Putin) ka përsëritur se ‘gjëra të tmerrshme do të ndodhin’. Unë i thashë ‘a nuk e sheh presionin nga njerëzit e zakonshëm, nuk bëhet më fjalë për reputacionin e Rusisë, por tani ka më shumë merak për njerëzit që po vdesin, a nuk e sheh?’. Pastaj ai tha ‘nëse NATO ose ndonjë nga vendet e NATO-s ndërmarrin aksione, gjëra të tmerrshme do të ndodhin’. Unë s’jam i frikësuar, por sigurisht jemi në vëmendje të plotë”.

Sauli Niinistö dhe Putin duke luajtur hokej në vitin 2012
Lufta – akoma – vazhdon

Në ndërkohë, 16 marsi shënon ditën e 21 të luftimeve në Ukrainë.

Dy palët, ajo ukrainase dhe ruse, aktualisht janë në bisedime për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore dhe përfundimin e luftës.

Në bisedime po propozohen opsione si një Ukrainë neutrale e versionit austriak, apo suedez, por që ka ushtrinë dhe flotën e vet detare. Kurse në Shtetet e Bashkuara, Senati Amerikan tashmë, përmes një rezolute, e ka shpallur Putin-in kriminel lufte.

Kurse aktualisht numërohen rreth dy milionë ukrainas që janë larguar nga vendi vetëm në drejtim të Polonisë.

Ndërsa luftimet po vazhdojnë në disa qytete të Ukrainës. Përveç regjionit të Donbasit e qyteteve si Odesa, luftë po bëhet edhe në Kiev, ku kryeqyteti po goditet kohë pas kohe nga raketa balistike dhe luftimet e ashpër në terren po ndodhin në zonat ndërurbane në veri të qytetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore