Lajme

Samiti i Ballkanit Perëndimor: Kosova dhe Bosnja pajtohen t’ia heqin vizat njëra-tjetrës


Annalena Baerbock

Në kuadër të Samitit të Ballkanit Perëndimor në Berlin, ministrat e gjashtë shteteve ballkanike janë dakordësuar për lëvizjen e lirë të njerëzve, për njohjen reciproke të diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, theksoi se nga kjo marrëveshje do të përfitojnë më së shumti qytetarët nga Kosova dhe Bosnja-Hercegovina, të cilët nuk do të kenë nevojë për vizë për të vizituar njëri-tjetrin.

“Kjo do të thotë që të rinj kosovarë dhe boshnjakë do të vizitojnë njëri-tjetrin pa viza, gjë që për ne evropianët është e zakonshme”.

“Do të thotë që studentët nga Shqipëria mund të përdorin diplomën e tyre bachelor për të punuar në Maqedoninë e Veriut, dhe që arkitektët nga Serbia të punojnë në Mal të Zi”, shpjegoi tutje ajo.

Nga ana tjetër, Majlinda Bregu, e cila drejton Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal deklaroi se Kosova, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe BeH do të dakordësohen për lëvizjen e lirë të njerëzve pa letërnjoftime (ID).

“Kjo do të thotë se muri i fundit i regjimit të vizave në Ballkanin Perëndimor, mes Kosovës dhe BeH-së, do të zhduket”, shtoi ajo.

“Këto tri marrëveshje hapin rrugën për krijimin e një tregu të përbashkët rajonal të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë kryediplomatja gjermane, në një deklaratë për media.

Ajo shtoi se, duke vepruar në këtë mënyrë, po hidhet një hap të rëndësishëm përpara në procesin e anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Marrëveshjet do të nënshkruhen zyrtarisht në samitin e radhës në Berlin, gjatë muajit nëntor.

“Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor, prioriteti gjeostrategjik më i rëndësishëm se kurrë”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore