Sport

Sacchi kritikon Simeone-n: Loja e tij e lodh publikun


Trajneri i Atletico Madrid-it, Diego Simeone, njihet për stilin e tij të lojës defensive, lojë të cilën e shfaqi edhe në ndeshjen e fundit çerekfinale ndaj Manchester City-t.

Kjo ndeshje u komentua shumë, ku i fundit që foli për të është edhe ish-trajneri italian, Arrigo Sacchi.

Sacchi tha se Simeone është një trajner i suksesshëm, por ai ka një qëllim të vetëm – mos të pësojë gol.

“Simeone ka arritur rezultate pozitive në kohët e fundit. Nuk ka dyshime se përvoja e tij si lojtar në Itali ka ndikuar tek ai si trajner. Rëndësi ka të mos pësosh gol, pastaj të shohim çfarë do të ndodhë”, tha Sacchi.

 

Në qendër të kritikave të Sacchi-t është loja e Simeone-s, i cili tha se ky stil i lojës nuk është aspak i përshtatshëm për publikun.

“Kjo mënyrë loje e lodh publikun. Spektatorët kërkojnë bukurinë, kërkojnë emocione. Çfarë emocioni mund të ketë me një top të gjatë pesëdhjetë metra? E dini çfarë më tha Gullit dikur? Zotëri, pse të mos e provojmë edhe ne, të hedhim topin në zonë, jemi të fortë me kokë, ndoshta shënojmë”, shtoi Arrigo Sacchi.

Ish-trajner i Milan-it, megjithatë, nuk e përjashton Guardiola-n nga disa kritika dhe përgjegjësi për mosmarrjen e masave të duhura për lojën e pritshme të Simeone-s.

“Atletico nuk ka goditur asnjë herë në portë, është e vërtetë, por nuk është si City që goditi me bollëk. Përveç golit të De Bruyne, i bukur në ndërtim dhe ekzekutim, nuk mbaj mend shumë raste shënimi. Duhet pranuar që kjo sfidë nuk ishte argëtuese”, tha 76 vjeçari.

Më pas, ish-trajneri tregon një anekdotë me Pele-n, të përjetuar gjatë gjysmëfinales së Euro 2000 mes Italisë dhe Holandës.

“Pranë meje ishte Pele. Në fund fituam me penallti, pas një ndeshjeje të cilën e luajtëm në gjysmëfushën tonë, duke u mbrojtur. Pele më tha: ‘Sa keq, ke lojtarë të mirë, por nuk di të luash futboll’. Atletico sillet në të njëjtën mënyrë: mbrojtje, mbrojtje dhe mbrojtje”, tha mes tjerash ish-legjenda e Milan-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore