Lajme

Rusia vajton humbjen e ‘Moskva”-s


Një ceremoni e thjeshtë për të vajtuar fundosjen e anijes luftarake “Moskva” është mbajtur në qytetin e Sevastopolit, pjesë e rajonit të aneksuar të Krimesë.

Një ditë më parë, anija legjendare, e cila mbante hegjemoninë në Detit e Zi, u fundos pasi mendohet se u godit nga dy silurë ukrainas të llojit “Neptune”, gjatë një stuhie të fortë në det.

Pavarësisht se ngjarja ende nuk është faktuar dhe Rusia e ka mohuar deri tani një version të tillë, Perëndimi ka baza të forta për ta besuar versionin ukrainas.

Në ceremoni, mori pjesë kapiteni i dytë i anijes, Sergei Gorbachev, i cili theksoi se “Moskva, ishte një simbol për këdo, për fuqinë, për shpresën, për ringritjen e flotës ruse që prej viteve 1990”.

Një prift po ashtu mbajti një fjalë, ku deklaroi se si fundosja e anijes, ishte “një tragjedi për dhjetëra-mijëra njerëz, të cilët kanë shërbyer si ekuipazh në të përgjatë 20 vjetëve të fundit”.

Sa i përket luftës në Ukrainë, anije kryente një rol kyç në koordinimin e operacioneve luftarake. Madje, ajo mendohet se ishte edhe asi nën mëngë, për marrjen e qytetit jugor bregdetar të Odessa-s.

Bilanci i vdekjeve po ashtu ende nuk është i qartë, pasi Rusia pretendon se i ka shpëtuar ekuipazhin, në kohën kur “Moskva” ishte në flakë.

Nga ana tjetër, një ish-deputet rus, Ilya Ponomaryov, pretendon se vetëm 58 pjesëtarë të ekuipazhit mbijetuan.

Rreth kësaj çështjeje, ende nuk ka një qëndrim zyrtar nga asnjë prej palëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore