Shqipëria

Rektori i UT-së: Vaksinimi i detyrueshëm për studentët, i panevojshëm


Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, në një komunikim për mediat, ka bërë me dije qëndrimin e tij, për njoftimin se studentët duhet t’i nënshtrohen vaksinimit të detyruar.

Sipas Hoxhës, kjo gjë nuk ishte e nevojshme, pasi fakultetet nuk e dinë ende sesi do të vijojë mësimi për këtë vit akademik.

Pavarësisht kësaj, ai u ka bërë thirrje studentëve dhe pedagogëve që të vaksinohem për t’u mbrojtur nga COVID-19.

Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha

“Pedagogët dhe stafi i Universitetit të Tiranës janë vaksinuar në masën 75%”, u shpreh Hoxha në deklaratën për mediat.

Më herët, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi vendimin se studentët, pedagogët, mësuesit dhe punonjësit e administratës publike nuk do të pranohen në auditorë apo në ambientet e punës nëse nuk janë të vaksinuar.

“Mosvaksinimi të dërgon deri në vdekje. Studentët që nuk vaksinohen nuk do të hyjnë në auditorë. E njëjta gjë vlen për mësuesit. E njëjta gjë vlen për administratën”, u shpreh Rama.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore