Lajme

Reka: Rusia s’mund ta bllokoj anëtarësimin e Kosovës në OKB, ajo s’është mbi ligjin ndërkombëtar


Blerim Reka

Për ish-ministrin e Integrimeve Evropiane, Blerim Reka, legjitimiteti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës është një çështje e mbyllur, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila ka dhënë mendim pro legalitetit juridiko-ndërkombëtar të pavarësisë së Kosovës.

Edhe pse GJND-ja 12 vite më parë ka thënë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, është Rusia ajo e cila, sipas Rekës, pretendon se ka kompetenca interpretuese të dokumenteve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara edhe pse këtë drejtë nuk e ka askush përveç vetë Gjykatës.

E për këtë Reka mendon se, Moska me veton e saj në OKB, në mënyrë jo-legjitime po e bllokon rrugën e Kosovës drejtë anëtarësimit në një organizatë multilaterale.

“Përkundër një interpretimi të tillë të pastër juridiko-ndërkombëtar të gjyqësorit të OKB-së, Kremlini vazhdon të shpikë të ‘drejtën’ e vet ‘ndërkombëtare’, si maskë për fuqinë kundër normës së vërtetë juridiko- ndërkombëtare.  Asnjë shtet anëtar i OKB-së, pra as Rusia nuk mund të jetë mbi ligjin ndërkombëtar”, ka shkruar Reka në rrjetin e tij social në Facebook.

Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) me qendër në Hagë, me 10 vota pro dhe 4 kundër kishte vlerësuar se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

“Deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës është në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare”, Ishte kjo përgjigja GJND-së.

Përgjigja rrjedhimisht u dha ndaj kërkesës së Serbisë, që organi më i lartë juridik i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) të përgjigjet në pyetjen: “A ishte Deklarata e njëanshme për pavarësi e shpallur prej organeve të përkohshme të vetëqeverisjes, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare?”.

Në emër të 15 gjykatësve të GJND-së, kryetari i saj Hisashi Owada kishte shpjeguar gjerësisht mendimin e Gjykatës për pohimet e Serbisë, se pavarësia e Kosovës është shpallur në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

GJND-ja kishte konstatuar se Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së është përpiluar me qëllim që t’i jepet fund pushtetit të Serbisë në Kosovë, kjo rezolutë sipas Gjykatës kishte karakter të përkohshme dhe parashikonte krijimin e kushteve për një zgjidhje të përhershme të statutit të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore