Shqipëria

Ratifikohet marrëveshja me BE-në për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile


Komisioni për Politikën e Jashtme ka ratifikuar marrëveshjen me Bashkimin Evropian për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së.

Geraldina Prodani, Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Mbrojtjes, ka veçuar se mekanizmi bazohet në solidaritet. Çka nënkupton se, kur godet një fatkeqësi, shtetet e tjera mund të ofrojnë ndihmë.

“Kjo marrëveshje është firmosur në 8 nëntor 2022, ku Shqipëria është bërë zyrtarisht shtet pjesëmarrës i këtij mekanizmi”, ka thënë ajo.

Sipas Prodanit, anëtarësimi i Shqipërisë në këtë mekanizëm të BE-së do të ndikojë në rritjen e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes civile për të gjitha llojet e fatkeqësive natyrore dhe atyre të shkaktuara nga dora e njeriut.

Veçanërisht në “lehtësimin e koordinimit të përgjigjes, marrjes dhe dhënies së asistencës ndërkombëtare dhe elementët e tjerë që janë pjesë e këtij mekanizmi”.

Po ashtu ajo ka bërë me dije se kjo do të forcojë kapacitetet e Shqipërisë në gatishmëri dhe përgjigje.

Mekanizmin i Mbrojtjes Civile të BE-së përfaqëson një sistem të  unionit për menaxhimin e rrezikut nga fatkeqësitë.

Si një anëtare me të drejta të plota, Shqipëria jo vetëm që do të jetë në gjendje të marrë mbështetje të menjëhershme, por gjithashtu mund të dërgojë ndihmë për vendet e goditura nga një fatkeqësi nëpërmjet Mekanizmit.

Kjo, duke çuar në reagim më të fortë dhe më të koordinuar ndaj krizave në Evropë dhe në pjesën tjetër të botës.

Përpara se të anëtarësohej si një anëtare me të drejta të plota, Shqipëria ishte mbështetur tashmë nga Ekipet e Mbrojtjes Civile të BE-së pas tërmetit në nëntor 2019 dhe zjarreve në tre verat e fundit.

Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së synon të forcojë bashkëpunimin midis vendeve të BE-së dhe tetë shteteve pjesëmarrëse (Islanda, Norvegjia, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Turqia, Bosnja dhe Hercegovina dhe së fundmi Shqipëria) për mbrojtjen civile për të përmirësuar parandalimin, gatishmërinë dhe përgjigje ndaj fatkeqësive.

Kur një emergjencë mposht aftësitë e reagimit të një vendi në Evropë dhe më gjerë, ai mund të kërkojë ndihmë nëpërmjet Mekanizmit.

Komisioni Evropian luan një rol kyç në koordinimin e reagimit ndaj fatkeqësive në mbarë botën. Që nga fillimi i tij në 2001, Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së i është përgjigjur më shumë se 600 kërkesave për ndihmë brenda dhe jashtë BE-së.

Një qasje e përbashkët ndihmon më tej të grumbullojë ekspertizën dhe kapacitetet e reaguesve të parë, shmang dyfishimin e përpjekjeve të ndihmës dhe siguron që ndihma të plotësojë nevojat e të prekurve.

Grumbullimi i kapaciteteve dhe aftësive të mbrojtjes civile mundëson një përgjigje kolektive më të fortë dhe më koherente.

Mekanizmi gjithashtu ndihmon në koordinimin e aktiviteteve të gatishmërisë dhe parandalimit të fatkeqësive të autoriteteve kombëtare dhe kontribuon në shkëmbimin e praktikave më të mira.

Kjo lehtëson zhvillimin e vazhdueshëm të standardeve më të larta të përbashkëta duke u mundësuar ekipeve të kuptojnë më mirë qasjet e ndryshme dhe të punojnë në mënyrë të ndërsjellë kur godet një fatkeqësi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore