Lajme

Rasti kurioz i anijes luftarake ruse që “u fundos” dhe lundron sërish


Një rast i pazakontë i dëshmive të luftës dhe miteve përreth saj ka nxjerrë “në sipërfaqe” një anije ruse që supozohej të ishte fundosur nga forcat ukrainase.

Pamjet e xhiruara dhe fotografitë tregonin anijen patrulluese të Marinës Ruse “Project 22160 Vasiliy Bykov” duke lundruar në portin e Sevastopol-it në Gadishullin e Krimesë.

Ushtria ukrainase thuhet se e dëmtoi rëndë, në mos e fundosi këtë anije në Detin e Zi më shumë se një javë më parë, duke përdorur raketa artilerie të lëshuara nga bregu.

Vasiliy Bykov ishte anija e parë patrulluese e Projektit 22160 që hyri në shërbim, duke u vënë në punë në vitin 2018.

Marina ruse tani ka tre nga këto anije në detyrë aktive, të gjitha të caktuara në flotën e saj të Detit të Zi.

Rusia e zhvendosi në Krime pasi e kapi nga Ukraina në vitin 2014.

Një anije e katërt Project 22160 po kalonte prova në det që nga tetori i vitit 2021 dhe dy të tjera janë në ndërtim e sipër.

Projekti 22160 janë disa nga luftanijet më moderne në Marinën Ruse.

Shkatërrimi i njërës prej tyre do të kishte përfaqësuar një humbje të konsiderueshme për Rusinë.

Sulmi

Përveç kësaj, Vasiliy Bykov ishte përfshirë në sulmin e ushtrisë ruse në ishullin Zmiinyi të Ukrainës, ose ishullin e gjarpërinjve, në Detin e Zi perëndimor.

Mbrojtësit ukrainas rrokën një status thuajse “legjendar” pasi u shfaq audio ku ata refuzonin kërkesën për t’u dorëzuar dhe në vend të kësaj u përgjigjën me frazën tashmë ikonike “Anije luftarake ruse, vafsh në djall!”.

Të 13-të rojet e kufirit ukrainas të vendosur në ishullin e gjarpërinjve fillimisht supozohej se ishin vrarë në një sulm që pasoi, megjithëse kjo u përgënjeshtrua më vonë.

Pra, fundosja, apo edhe dëmtimi serioz i kësaj anijeje do të kishte pasur një vlerë shtesë si një akt i drejtpërdrejtë hakmarrjeje.

Forcat ukrainase mund të kenë ngatërruar anijen “Vasily Bykov” për “Dmitriy Rogachev” ose “Pavel Derzhavin”.

Një fotografi e Dmitriy Rogachev në portin në Sevastopol, së bashku me anijen ukrainase të kërkim-shpëtimit Sapphire, e cila u kap gjatë operacionit të ishullit të gjarpërinjve, u shfaq në internet më 11 mars.

Pavel Derzhavin duket se është parë për herë të fundit në Detin Azov, në veri të Detit të Zi, në ose rreth 20 shkurtit, përpara se Kremlin-i të fillonte pushtimin e Ukrainës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore