Lajme

Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën, mbesin shqetësuese kërcënimet ndaj mediave


Ilustrim

Komisioni Evropian ka publikuar raportin vjetor për Kosovën për vitin 2022. Periudha e raportimit, siç thuhet në këtë raport, përkon me vitin e parë të plotë të qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje, pra mbulon periudhën nga qershori i vitit 2021 deri në qershor të vitit 2022.

Sa i përket lirisë së shprehjes dhe mediave, shqetësimet mbeten të njëjta në lidhje me fushatat e shpifjeve publike, kërcënimet dhe sulmet fizike ndaj gazetarëve.

Gjithashtu, thuhet se mungesa e financave për media i lë ato të ekspozuara ndaj interesave politike dhe biznesore.

Juristja e medias, Flutura Kusari, ka thënë se shqetësimi më serioz i raportit të BE-së për Kosovën, ka të bëjë me denigrimet publike që iu bëhen gazetarëve.

Për këtë shqetësim, argumenton Kusari, përgjegjëse është partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje dhe burri i Presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriu.

“Që kur se kanë ardhur në pushtet, eksponentë të lidhur direkt ose indirekt me VV-në dhe Guxo, shajnë, denigrojnë, fyejnë, sulmojnë online secilin gazetar e gazetare e besa edhe aktivist e aktiviste që raporton ngecje në qeverisje apo kritikon këdo në pushtet”, ka shkruar ajo në Facebook.

Ndryshe, ambienti për punë të lirë dhe pa presione për gazetarët në Kosovë mbetet ende i papërshtatshëm.

Raporti për Kosovën me nota të dobëta për disa sektor: “Menaxhim i dobët legjislativ” “administrimi i drejtësisë i ngadaltë”, “përparim i kufizuar në luftën kundër korrupsionit”, “shqetësim furnizimi me qymyr”…

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore