Shqipëria

Rama me distributorin turk të Sinovac-ut, diskutime mbi fabrikën e vaksinimit në Shqipëri


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka postuar në platformën Facebook, të enjten e 3 qershorit, një foto me Canturk Alagöz.

Ai është pronari i kompanisë së prodhimit të disa llojeve vaksinash. Ndër të tjera, Alagöz është edhe distributori i vaksinës Sinovac.

Sakaq, kryeministri Rama e ka falënderuar me mirënjohje, për atë që ai e ka cilësuar si “ndihmë jetike” për Shqipërinë.

Ai shtoi më tej se mes tyre u diskutua dhe për projektin e ndërtimit të fabrikës së vaksinave në Shqipëri. Kjo, si pjesë e një qendre ekselence farmaceutike.

“Të shohim”, shkruan Rama në përmbyllje të statusit.

Kryeministri Rama po zhvillon vizitën e tij dyditore në Turqi.

Rama ka bërë me dije se vizita e tij lidhet “me ecurinë e projekteve të bashkëpunimit dypalësh mes ministrive dhe kontaktet e organizuara me investitorë në teknologji digjitale, turizëm, farmaceutikë, energji dhe transport”.

Kjo është vizita e dytë e numrit një të qeverisë shqiptare në Turqi brenda vitit. Gjatë muajit janar, me ftesë të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, Rama zhvilloi po ashtu një takim dyditor me këtë të fundit.

Në fokus të vizitës është nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit mes vendeve në luftën kundër terrorizmit, në fushën ushtarake dhe atë të mbrojtjes.

Një takim për bashkëpunimin në këto fusha u realizua mes ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Bledi Çuçi, dhe homologut të tij, Süleyman Soylu.

Gjatë konferencës në Ankara u nënshkrua dhe marrëveshja mes Shqipërisë dhe Turqisë për restaurimin e Xhamisë së Plumbit në Shkodër.

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, dhe homologu i saj turk, Ziya Selçuk, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e arsimit.

Kjo marrëveshje përfshiu nxitjen e bashkëpunimit, shkëmbimit të informacionit dhe botimeve shkencore në fushat e arsimit.

Gjithashtu edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, dhe homologu i saj, Dr.Fahrettin Koca, nënshkruan marrëveshjen për bashkëpunim në fushën e shëndetësisë. Si dhe ndërtimi i Spitalit Rajonal Memorial i Fierit, që u realizua për tre muaj nga pala turke.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore