Shqipëria

Erdogan: FETO, organizatë terroriste që përbën kërcënim për Turqinë dhe Shqipërinë


Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan e quajti organizatën FETO një kërcënim për të dy vendet gjatë konferencës dy palëshe.

Në konferencën e përbashkët me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, dy liderët diskutuan për bashkëpunim në fushën e sigurisë.

“Ne bashkë me autoritetet shqiptare dakordohemi që organizata terroriste e FETO-s përbën një kërcënim për të dy vendet. Ne nuk do të lejojmë që FETO të helmojë marrëdhëniet mes dy vendeve”, tha Erdogan-i.

Kryeministri Rama po zhvillon një vizitë zyrtare dy ditore në Turqi.

Në fokus të vizitës ishte bashkëpunimi mes vendeve në luftën kundër terrorizmit, në fushën ushtarake dhe atë të mbrojtjes.

Një takim për bashkëpunimin në këto fusha u realizua mes ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Bledi Çuçi dhe homologut të tij, Süleyman Soylu.

“Folëm për krijimin e një klime më të ngushtë bashkëpunimi mes dy vendeve në fusha të interesit të përbashkët si ajo e sigurisë, migracionit të paligjshëm, luftës kundër terrorizmit dhe kundër trafikut të narkotikëve”, u shpreh ministri Çuçi.

Bashkëpunimi mes dy shteteve është intensifikuar pas kërkesave nga pala turke për ekstradimin dhe goditjen e anëtarëve të organizatës FETO.

Ky intensifikim i kërkesave nga pala turke erdhi pas grushtit të shtetit në Turqi në 2016.

Për grushtin e shtetit, Erdogan-i akuzoi themeluesin e organizatës FETO, Fethullah Gulen-in si organizator./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore